Sela heq tezgat, protestojnë pronarët
Dje, në Strugë filloi aksioni për largimin e kioskave të cilat tashmë një kohë të gjatë janë të vendosura në zona të ndryshme të qytetit...

Aksioni për heqjen e kioskave dhe lirimin e hapësirave publike duhej të fillonte para disa muajsh, por nga Komuna e Strugës e shtynë këtë vendim me kërkesë të pronarëve që të njëjtit ta shfrytëzojnë të paktën edhe këtë sezon turistik veror që sapo përfundoi.
Por edhe pse u toleruan dy muaj, dje pronarët e kioskave ilegale, të pakënaqur, kanë protestuar në Strugë para godinës së Komunës së Strugës, duke kërkuar nga kryetari, Ziadin Sela dhe institucioni që ai drejton, që të tërhiqen nga ky vendim që ata e quajnë të paligjshëm.
Protestuesit thonë se ky vendim bëhet në kundërshtim me ligjin dhe në kurriz të 500 të punësuarve në këtë biznes.
Shteti investon dhe ndihmon për nisjen e një biznesi duke dhënë tre mijë euro, ndërkohë këtu me një vendim të jashtëligjshëm mbyllen më shumë se 100 të tilla, thanë dje protestuesit.
