Stoltenberg: Të ruajmë unitetin e të gjitha vendeve aleate
Diskutimet në Samitin e NATO-s në Londër....

Diskutimet në Samitin e NATO-s në Londër më 4 dhjetor pritet të jenë me tensione. Kjo pas deklaratës së presidentit francez, Emanuel Makron, i cili ditë më parë tha se NATO po përjeton një vdekje të trurit dhe se nevojitet ngrohje e marrëdhënieve me Rusinë.
Sekretari gjeneral, Jens Stoltenberg, theksoi se ka pasur një takim me presidentin francez për këtë çështje, i cili ka mbetur në qëndrimin e tij se armik i NATO-s nuk është Rusia apo Kina, por terrorizmi. Megjithatë, Stoltenberg theksoi se dialogu me Moskën është i nevojshëm dhe se nuk përbën ndonjë shqetësim.
“Rusia është fqinji ynë, duhet të bisedojmë me Rusinë, për shkak se këtu është i nevojshëm dialogu për t’u përballur me marrëdhënien e vështirë. Është e rëndësishme të ruajmë unitetin e të gjitha vendeve aleate.”,- theksoi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në vigjilje të Samitit në Londër, Stoltenberg theksoi se ky është viti i pestë me radhë ku ka rritje të shpenzimeve për mbrojtje të vendeve anëtare të NATO-s. Në bazë të shpenzimeve të projektuara që i kanë bërë vendet, Aleanca konkludon se rritja e akumuluar do të jetë 400 miliard dollarë, që sipas sekretarit të përgjithshëm është një përparim i pashembullt.
“Të gjithë aleatët kanë rritur kostot dhe gjithnjë e më shumë aleatë po e përmbushin detyrimin për dy për qind të BPV-së, këtë vit nëntë aleatë do ta përmbushin, para disa viteve ishin vetëm tre vende, kurse shumica e anëtarëve planifikojnë të arrijnë normën deri në vitin 2024, jemi në rrugë të mbarë, por nuk duhet të bëjmë lëshime”,- theksoi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Marrëdhënia me Kinën, lufta kundër terrorizmit, infrastruktura teknologjike në kuadër të zhvillimit të teknologjisë 5G do të jenë tema tjera për të cilat do të diskutohen në Samitin e NATO-s në Londër. (Ersan Pajaziti, TVM2)
