Maqedoni
Non pejperi francez, Biber: Dokumenti ka ide të mira, por s’është final. Dimitrov: Vendimi final të mundësojë proces efektiv
29.11.2019 17:29
Nonpejperi francez është dokument bazë për t’u diskutuar, por nuk do të jetë edhe rezultat final...

Nonpejperi francez është dokument bazë për t’u diskutuar, por nuk do të jetë edhe rezultat final në politikat europiane të zgjerimit, vlerëson eksperti politik për çështje të Ballkanit, Florian Biber.
Sipas tij, nga metodologjia mund të dalin ide të mira për një metodologji të re e cila nuk pritet të jetë gati deri në janar. Biber thekson se e ardhmja e Evropës s’mendohet të jetë pa rajonin e Ballkanit.
“Non pejperi francez thotë se ka faza, por fazat duhet të përmbushen. Ky është një sinjal i mirë. Problem tjetër si për shembull autorizimi i çdo vendi anëtar për të bllokuar procesin. Unë mendoj se procesi duhet të ketë sa më pak mundësi të bllokimit në të ardhmen, pasi që nuk është vetëm Franca, por mund të ketë ndonjë shtet tjetër anëtar i cili do të bllokojë për çfarëdo arsye dhe kjo nuk ndihmon fare. Nuk adresohet shteti ligjor, i cili ende është problem në më shumë shtete dhe nuk ka strategji në këtë pjesë. Dokumenti francez nuk do të miratohet ashtu siç është.”,- tha profesori në universitetin e Gracit, Florian Biber.
Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, ftoi vendet anëtare të BE-së që të arrijnë konsensus në politikat e zgjerimit të Unionit, ndërkaq metodologjia të mundësojë proces sa më të shpejtë dhe efektiv.
“Për ne me rëndësi është që në rajon të ketë një proces që të mund të garojmë barabartë me shtetet tjera në procesin paraqasës sikurse Mali i Zi dhe Serbia. Më e rëndësishme është që sa më shpejtë të arrihet konsensus në vendet anëtare që ky proces të hapet.”,- theksoi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Sipas Dimitrovit, nisja sa më e shpejtë e procesit është në të mirën e vendit, Ballkanit, por edhe kredibilitetin e Bashkimit Evropian sa i përket zgjerimit.
MERAL ISMAILI
