Botë

Shqipëri, u varrosën të vdekurit në Thumanë

29.11.2019 18:13

Ka shkuar në 49 numri i viktimave të tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri...

Ky bilanc i rëndë jetësh të humbura nën rrënoja është shënuar në Thumanë, Durrës, Kurbin dhe Lezhë. Ditën e sotme nuk u raportua për njerëz të gjetur nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vijuar vetëm në një hotel në Durrës, në “Mian Mare”, ku dyshohet për një trup të pajetë. 
 
Ndërkohë në mesditë janë përcjellë për në banesën e fundit 6 anëtarët e familjes Cara dhe 3 anëtarët e familjes Greku në Thumanë.
 
Përveç humbjes së 49 jetëve, mjaft e rëndë është situata me të mbijetuarit. Shumë prej tyre kanë vijuar ta kalojnë natën në çadra, ndërsa situata është paraqitur e rëndë edhe në Laç, ku banorët kërkojnë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.
 
 Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Rama përsëriti premtimin për ndërtimin e shtëpive brenda vitit 2020, ndërsa dha shifrat e dëmtimeve që ka shkaktuar tërmeti. 
 
Presidenti, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishin në Durrës, nga folën për punën e përbashkët mes 2 vendeve për përballimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti.
 
Gjatë këtyre ditëve ndihmat kanë qenë të mëdha, por në disa raste ato janë përvetësuar padrejtësisht. Policia e shtetit ka arrestuar dy shefa policie dhe një zjarrfikës, pasi i kishin marrë një pjesë të ndihmave për vete. 
 
LULJETA NDOKA