Ekonomi

AShAM, Strategji për zhvillim energjetik deri në vitin 2040

29.11.2019 18:34

Qendra për Energjetikë e Akademisë së Shkencave dhe Shtëpia Konsultuese “Prajs Voter Haus Kupers”...

Qendra për Energjetikë e Akademisë së Shkencave dhe Shtëpia Konsultuese “Prajs Voter Haus Kupers”, prezantuan Strategjinë për zhvillimin e energjetikës në vend deri në vitin 2040. Strategjia parasheh tre skenare.
 
I pari është referent, i dyti bazohet në transicionin e prodhimit dhe i treti është skenari i gjelbër. Varësisht nga ajo se cili skenar do të pranohet, vendit do t’i kushtojë prej 8 deri në 17.5 miliard euro dhe është parashikuar me rritje ekonomike të supozuar prej 3,3%.
 
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, vlerëson se në këto strategji i është kushtuar vëmendje çmimit të energjisë elektrike që ai të jetë në përputhje me standardin e popullatës.
 
“Në 20 vitet e ardhshme janë parashikuar investime deri në 17 miliardë euro në energjetikë. Këto mjete nuk mund të sigurohen vetëm nga shteti dhe prandaj nevojitet që energjetika të kalojë në suaza të investimeve private, partneriteteve publiko-private dhe këto të jenë një gjenerues i investitorëve të huaj dhe vendas, sepse nëse shteti zgjidh problemet duke marrë hua, ajo nuk është zgjidhje në afat të shkurtë, por problem afatgjatë.”,- tha zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
 
“Kjo strategji ishte planifikuar të miratohej në vitin 2015 kur duhej të silleshin shumica e ligjeve në lidhje me energjetikën. Por, kjo nuk ndodhi. Ne tanimë i kemi përgatitur dokumentet dhe shpresoj se shumë shpejt do ta miratojmë Strategjinë për Energjetikë.”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.     
                                                                                    
Akademiku Taki Fiti vlerëson së këto lloj investime ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë.
 
“Këtu bëhet fjalë për investim produktiv i cili është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike. Analizat e AShAM-it dhe Bankës Botërore tregojnë se multiaplikatori për këtë lloj të investimeve mund të shkojë deri në 0.5, shifër kjo që tregon se nëse investoni 18 miliard euro, gjysma e tyre apo 9 miliard do të jenë shtesë për BPV-në, e cila do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë”,- u shpreh akademiku, Taki Fiti.     
                                                                                        
Nga Komuniteti i Energjisë së Evropës vlerësojnë se strategjia është e përgatitur në një mënyrë profesionale dhe nga ajo që është propozuar, sipas tyre, skenari i gjelbër do të ishte më i lirë dhe më i përshtatshëm për vendin.
 
GAZMEND KURTISHI