Botë

Prishtinë, blloku po e humb durimin

23.09.2014 15:31

Blloku paszgjedhor, LDK-Vetëvendosje, ka nisur ta humb durimin. Liderët e katër subjekteve që e përbëjnë këtë bllok...

Blloku paszgjedhor, LDK-Vetëvendosje, ka nisur ta humb durimin. Liderët e katër subjekteve që e përbëjnë këtë bllok, janë mbledhur të hënën në zyrën e grupit parlamentar të LDK-së për t’i shqyrtuar mundësitë e veprimit në rrethanat e krijuara pas seancës së 18 shtatorit, kur PDK-ja dështoi t’i marrë votat e mjaftueshme për ta vënë kandidatin e saj, Arsim Bajramin, në krye të kuvendit.

Por, mënyra se si është ndërprerë seanca nga kryesuesja, Flora Brovina, e cila ka rastisur të jetë e PDK-së, është duke i shqetësuar liderët e bllokut. Pas takimit të së hënës, i nominuari i bllokut për kryeministër, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Brovinës që ta thërrasë seancën sa më shpejt.

Por, për dallim nga seanca e 18 shtatorit, kur deputetët e këtij koalicioni vetëm kishin votuar kundër zgjedhjes së kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për postin e kryetarit të kuvendit, tani ky koalicion po pretendon se si shumicë parlamentare e ka të drejtën kushtetuese që ta propozojë kandidatin për kryetar.