Futboll

Valencia impresive arrin në pozitën e dytë me fitore ndaj Getafes, derisa Shkodran Mustafi vazhdon të nxejë bankën rezervë.

23.09.2014 15:41

Valencia po vazhdon me formë tejet të mirë në La Liga...

Në ndeshjen e fundit të xhiros së katërt të kampionatit spanjoll, ekipi nga Mesdheu ka arritur të shënojë fitore si mysafir ndaj Getafes, me rezultat bindës 0-3.

Paco Alcacer ka nisur serinë e golave për Lakuriqët, derisa asistoi pastaj në golin e Andre Gomesit, para se Rodrigo të përcaktojë rezultatin përfundimtar nga penalltia 20 minuta pa përfunduar ndeshja.

Kjo ka qenë fitorja e tretë me radhë e Valencias, pasi që nisi stinorin me barazim ndaj Sevillas dhe është duke e ndjekur në hap Barcelonën që ka vetëm 2 pikë më shumë.

Reprezentuesi i Gjermanisë që sivjet erdhi te Valencia, Shkodran Mustafi, ka mbetur gjatë gjithë ndeshjes në bankën rezervë, duke mos fituar rastin nga trajneri Nuno Espirito Santo.