Botë
Tërmeti tragjik në Shqipëri, Rama: Trajtim financiar për ata që humbën familjarët
02.12.2019 13:59
Pas tërmetit të 26 nëntorit, autoritetet qeveritare në Shqipëri vazhdojnë me operacionin e strehimit....

Pas tërmetit të 26 nëntorit, autoritetet qeveritare në Shqipëri vazhdojnë me operacionin e strehimit dhe akomodimit të familjeve dhe personave të prekur nga tërmeti. Ndërkohë që kreu i Qeverisë, Edi Rama, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka thënë se të gjithë familjet që kanë humbur familjarët në këtë tërmet do të marrin një trajtim financiar, “100 mijë lekë në muaj do të marrin për të gjithë jetën”, ndërsa fëmijët e tyre do të marrin bursa deri në përfundimin e shkollimit.
Tashmë është thelluar edhe bilanci i viktimave. Së fundmi ka ndërruar jetë edhe një anëtar i familjes Lala, duke çuar kështu numrin e viktimave në 52. Ndërkohë, pa strehë kanë mbetur mbi 5 mijë persona në qytetin e Durrësit dhe me probleme vijon shpërndarja e ndihmave.
Ditë më parë kryetarja e Bashkisë, Valbona Sako, ka dhënë dorëheqjen, për shkak të një deklaratës së pamatur për numrin e viktimave, gjë që shkaktoi reagime të shumta në opinion dhe zemërim masiv në rrjetet sociale.
Në Durrës, ekspertët kanë vijuar me shembjen e objekteve me rrezikshmëri dhe në të njëjtën mënyrë do të vijohet edhe ditët e ardhshme.
Nga tërmeti janë dëmtuar edhe shkollat. Sipas ministres së Arsimit, institucionet arsimore në Durrës do të hapen më 9 dhjetor, ndërsa në Tiranë më 5 dhjetor. Lëkundjet sizmike me epiqendër në Durrës kanë vijuar gjatë ditës së djeshme, me magnitudë deri në 4.5 të shkallës Rihter.
