Maqedoni

Derdhet acid salik në Shkup, autoritet nuk japin detaje

02.12.2019 18:24

Autoritetet nuk zbulojnë prej ku mbrëmjen e së dielës nga një cisternë në afërsi të fabrikës së MZT-së...

Autoritetet nuk zbulojnë prej ku mbrëmjen e së dielës nga një cisternë në afërsi të fabrikës së MZT-së u derdh acid salik. TVM2 u fut në rrethinën e fabrikave pranë MZT-së, por nuk arriti të gjejë vendin nga ku ndodhi incidenti. 
 
Incidenti në fjalë fillimisht u denoncua nga një këshilltar komunal në komunën e Gazi Babës, i cili u ankua për erë të pakëndshme në rrethinën e fabrikës MZT, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë  dalë inspektorë nga Inspektorati i Qytetit të Shkupit. TVM2 kontaktoi edhe Inspektoratin e Qytetit të Shkupit, por në përgjigjen me shkrim ata nuk japin detaje se për cilën fabrikë bëhet fjalë dhe çfarë rreziqe mund të sjellë kjo lëndë e dëmshme. 
 
“Është përpiluar procesverbal për veprim të mëtutjeshëm sa i përket ngjarjes, për momentin nuk mund të shpalosim detaje. Bëhet fjalë për subjekt juridik, i cili punon me prokurorë, në vendngjarje është konstatuar se çështja ka të bëjë me derdhjen e acidit salik nga cisterna”.
 
Shilegov paralajmëron padi ndaj kompanisë
 
Ndërsa kreu i Qytetit të Shkupit paralajmëron padi ndaj pronarit të kompanisë që ka derdhur acidin salik.
 
“Edhe pse nuk është përgjegjësi e jona, ne sërish ishim të parët që dolëm në teren. Bazuar në të dhënat kam urdhëruar që të iniciohet padi penale ndaj pronarit të kompanisë, pasi është punuar pa vendim për atë instalim. Atje ka rreth 50 ton acid salik. Padia do të dorëzohet këtyre ditëve dhe i bëj thirrje edhe Prokurorisë Publike që ta marr; seriozisht rastin dhe kanosjet që i bëhen mjedisit jetësor.”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Muajin e kaluar incident i ngjashëm ndodhi edhe në fabrikën “Ohis”, ku gjatë përpjekjes për të pastruar një cisternë, rrodhën kimikate , që shkaktoi erë të keqe, por edhe shqetësime shëndetësore ndaj qytetarëve të asaj lagje. 
 
ZEKIRJA MEXHITI