Botë

Trump refuzon procesin hetimor

02.12.2019 21:55

Procesi hetimor për shkarkimin e presidentit Donald Trump vijon të refuzohet nga Shtëpia e Bardhë....

Presidenti thotë se nuk do të japë sqarime për akuzat pa iu garantuar një proces i drejtë dhe i paanshëm. Të mërkurën ekspertët do të diskutojnë kushtetutshmërinë e dëshmive të deritanishme.
 
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka refuzuar pjesëmarjen në seancën e së mërkurës para komisionit hetimor që po investigon shkarkimin e tij.
 
Në letrën dërguar dhomës së ulët të Kongresit, Shtëpia e Bardhë, tha se procesi hetimor i iniciuar nga demokratët shkel parimet themelore të drejtësisë dhe paanshmërisë.
 
"Nuk mund të na kërkohet të marrim pjesë në një seancë ku dëshmitarët ende nuk njihen me emër e kur është e paqartë a do i rezervohet presidentit një proces i drejtë hetimor," njoftoi zyra ovale.
 
Presidenti Trump është ftuar edhe javën e ardhshme të përballet me akuzat e shpërdorimit të pushtetit në raportet me Ukrainën dhe kundrejt rivalit politik, Xho Bajdën.
 
Javën e kaluar ai përsëriti se sulmet ndaj tij janë politike dhe nuk i beson as populli amerikan.
 
"Këta maniakë vazhdojnë me idenë e çmendur të shkarkimit tim. Shihni se si kjo gjueti shtrigash po u kthehet për keq, shihni sondazhet, të gjithë njerëzit e konsiderojnë procesin ndaj meje marrëzi," deklaroi Trump para mijëra simpatizantëve.
 
Të mërkurën, një panel ekspërtësh pritet të trajtojë akademikisht bazën kushtetuese të procesit hetimor kundër presidentit, dhe nëse provat e mbledhura këto javë vlejnë për të nisur shkarkimin formal të kryeshtetarit Trump./Ora News