Maqedoni

Albanologët arbëreshë vizituan ITKSHSHM-në

23.09.2014 16:06

Albanologë arbëreshë nga Italia kanë vizituar sot Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni...

Në takim, përfaqësuesit e Institutit dhe albanologët arbëreshë shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit duke shfrytëzuar edhe teknologjinë.
 
“Është rast i mirë për të filluar të krijojmë rrjetën e mirëpritur edhe në fushën tonë, sepse kemi nevojë rrjeti të funksionojë jo vetëm në botë për të tjerët, globalizimin duhet ta zbatojmë edhe në botën tonë, që të mos kemi një botë të organizuar e një botë shqiptare jo të globalizuar”- deklaroi dekani në Fakultetin e Filologjisë-Kalabri, Franqesko Altimari.
 
“Kur na pyesin po si është e mundur që arbëreshët pas pesë shekujsh, gjashtë shekujsh kanë ruajtur identitetin e tyre, gjuhën, kulturën, kanë zhvilluar letërsinë, kanë ruajtur zakonet, traditat, kjo si është e mundur? Është një mrekulli që nuk është vetëm hyjnore, që ka thënë shkrimtari i famshëm, Masolini, kur fliste për arbëreshët si një mrekulli antropologjike. Nuk është vetëm diçka që lidhet me metafizikën, është diçka që lidhet edhe me përvojën edhe me mundimet e gjeneratave të paraardhësve tanë, të cilët arritën të shfrytëzonin çfarë kishin në dispozicion nga teknologjia e kohës”- tha profesori në Qendrën Albanologjike në Kozencë, Mateo Mandella. Në këtë kontekst, ai përmendi botimin nga Gjon Buzuku të Mesharit në Itali, në shekullin XVI. 
 
Ndërsa Skender Hasani nga Instituti Albanologjik, vlerësoi lartë kontributin e arbëreshëve dhe shqiptarëve në përgjithësi për civilizimin evropian.
 
“Dihet fort mirë se populli shqiptarë ndër shekuj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për civilizimin evropian, duke filluar me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, me Nënë Terezën dhe prezencën shumë shekullore të arbëreshëve të Italisë në Evropë. Dhe këto janë dëshmi shumë të rëndësishme që populli shqiptarë meriton të jetë përkrah popujve të Evropës”- deklaroi drejtori i ITKSHSHM-së, Skender Hasani.
 
Në fund të vizitës,  drejtuesit e institutit u dhuruan albanologëve arbëreshë komplete të librave dhe revistave të botuara nga instituti.
 
GYLTENE SINANI