Maqedoni
Zyberi: Reagimi i PMJ-së hap i përshpejtuar
23.09.2014 16:19
Akt i pamatur dhe i dëmshëm për Maqedoninë. Kështu e ka cilësuar ish-politikani dhe analisti politik, Naser Zyberi...

Akt i pamatur dhe i dëmshëm për Maqedoninë. Kështu e ka cilësuar ish-politikani dhe analisti politik, Naser Zyberi, vendimin e MPJ-së për të marrë në audiencë zëvendësambasadorin amerikan, Barton Putney, rreth deklaratës së ambasadorit të ri, Xhes Bejli, i cili i quan maqedonasit sllavë.
Sipas Zyberit, kjo nuk duhet të merret si pretekst për të ngritur zërin ndaj ShBA-ve, që kanë qenë mbështetësit kryesor për njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë dhe realizimin e aspiratave për integrim në strukturat euroatlantike.
“Reagimi i MPJ-së, i RM-së dhe pastaj thirrja në audiencë e zëvenambasadorit të ShBA-ve është një hap i ngutur, jo i matur mirë, madje i gabueshëm, që mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e mira, bile të shkëlqyera të ShBA-ve me Republikën e Maqedonisë”- tha analisti, Naser Zyberi.
Sipas Zyberit, të huajt, me nocionin maqedonas nënkuptojnë të gjithë qytetarët me nënshtetësi të Republikës së Maqedonisë, nga ky këndvështrim kur duhet të bëjnë dallimin në baza etnike, maqedonasit i quajnë sllavë. Ai rikthen në vëmendje edhe raste të tjera kur diplomatë të huaj i kanë quajtur maqedonasit sllavë dhe institucionet vendase edhe atëherë kanë reaguar.
“Me maqedonas ata nuk nënkuptojnë një etnitet i cili jeton në të, por të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Dhe pastaj për t’i veçuar etnitetet një nga një, ata i ndajnë në bazë të përkatësisë, duke thënë sllavët, shqiptarët, turqit, romët dhe tekstualisht në këtë mënyrë i nominuari për ambasador u shpreh në Senatin amerikan në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare”- u shpreh Zyberi.
Një ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë njoftoi se ka thirrur zëvendësambasadorin amerikan të ShBA-ve në Maqedoni, të cilit i është shprehur shqetësimi për shkak të emërtimit të pjesëtarëve të popullsisë shumicë maqedonase, si “sllavë” nga ana e ambasadorit të ri të emëruar të ShBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli.
SHPËTIM NUREDINI
