Botë
NATO feston 70 vjetorin, RMV në një tryezë me shtetet anëtare
03.12.2019 15:04
Në 70 vjetorin e themelimit të Aleancës Veriatlantike, në Londër edhe zyrtarisht filluan punimet dyditore të Samitit të NATO-s....

Në panelin për të ardhmen e NATO-s, pjesëmarrësit po diskutojnë për çështjet para së gjithash të sigurisë dhe se çfarë e pret Aleancën në të ardhmen. Masat e reja të sigurisë për anëtarët e Aleancës Veriatlantike, janë temë kyçe e diskutimeve.
Gjatë takimit, kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, diskutojnë me sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë. Siç tha edhe vetë sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, NATO është baza e sigurisë transatlantike që përfshiu demokracitë në Amerikë dhe në veri të Europës, e krijuar për t’i mbrojtur nga ish Bashkimi Sovjetik, ndërsa sot Aleanca mbron shtetet e saj kundër sulmeve koncencionale, angazhohet në operacione paqeruajtëse dhe stabilizim në ato vende dhe udhëheq padyshim luftën kundër terrorizmit.
NATO punon me mbarë vendet në Europë dhe vazhdon të premtojë derën e hapur për vendet që duan të bëhen anëtare, nëse ato përmbushin standardet demokratike dhe operative të Aleancës. Pikërisht në këtë temë u fokusua edhe kryeministri, Zoran Zaev, që në një panel të përbashkët me presidentin e Polonisë, Andzhej Duda.
Në Samitin e NATO-s po mbizotërojnë dy tema kyçe, politika e jashtme që ka të bëjë me sigurinë, Sirinë, Iranin, raportet me Rusinë dhe lufta kundër terrorizmit global dhe politika e brendshme në të cilën në këtë festim të përvjetorit të 70 të NATO-s, vend të posaçëm mes pjesëmarrësve në takimet edhe jozyrtare, ka zënë deklarata e presidentit francez, Makron, që në një prononcim paraprak u shpreh se “NATO e ka trurin të vdekur”. Rreth kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga të pranishmit, që fuqishëm kundërpërgjigjen se NATO jo vetëm që është gjallë, por do të ketë edhe një ardhmëri të ndritur, sepse Europa nuk mund të llogarisë në mbrojtjen e saj, nëse Aleanca Veriatlantike nuk do të ekzistonte më.
Në kuadër të Samitit po zhvillohen edhe një sërë takimesh bilaterale. Para fillimit të Samitit zyrtar, delegacioni i RMV-së, i udhëhequr nga kryeministri, Zoran Zaev, e ku marrin pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, patën një takim me ish sekretarin e NATO-s, Xhorxh Robertson, ku u diskutua për anëtarësimin tashmë pothuajse fuqiplotë të Maqedonisë së Veriut. Në të gjitha solemnitetet në këtë samit, flamuri i RMV-së valëvitet përkrah 29 anëtarëve të tjera të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
FATOS MUSLIU
