Maqedoni

Sulmi i së shtunës në Shkup, arrestohen dy persona të dyshuar

03.12.2019 16:17

MPB ka arrestuar mbrëmë dy të dyshuar, pjesëtarë të një grupi të armatosur të cilët të shtunën....

MPB ka arrestuar mbrëmë dy të dyshuar, pjesëtarë të një grupi të armatosur të cilët të shtunën pas mesnate gjuajtën me armë zjarri ndaj 5 personave në Hotelin “Aleksandar Pallas”. Të arrestuarit u morën në pyetje në Stacionin Policor në Karposh, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë i rrethuar nga pjesëtarë të Policisë Speciale.
 
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka zbuluar më shumë informacione në lidhje me rastin, e as identitetin e personave të arrestuar apo të dyshuarve të tjerë eventualë. Nga MPB njoftojnë vetëm se bëhet fjalë për një operacion më të gjerë i cili ende është duke vazhduar.
 
Të shtunën në orën 03:35 pas mesnate, një grup personash të armatosur dhe me maska qëlluan me armë zjarri ndaj një grupi personash që aktualisht gjendeshin në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup. Zyrtarisht MPB njoftoi se në këtë incident nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
 
LEUNORA KALIQI