Botë

SHBA-të dhe aleatët godasin ISIS-in

23.09.2014 17:16

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Gjirit Persik, filluan sulmet nga ajri dhe ato me raketa ndaj bazave të Shtetit Islamik në Siri...

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Gjirit Persik, filluan sulmet nga ajri dhe ato me raketa ndaj bazave të Shtetit Islamik në Siri, duke hapur një front të ri lufte kundër militantëve.
 
Edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania dhe Bahreini janë të përfshirë në sulme edhe pse janë ende të paqarta rolet ekzakte të tyre.
 
Ndërkohë, Katari po luan një rol mbështetës në sulmet ajrore.
 
Objektivat kanë përfshirë qytetin e Raqqas në Lindje të Sirisë, apo siç konsiderohet selia e Shtetit Islamik, një grup terrorist i ekstremistëve sunitë që ka pushtuar pjesë të tëra të territorit në Irak dhe Siri, si dhe pretendon krijimin e një kalifati duke fshirë kufijtë në zemër të Lindjes së Mesme.
 
Të paktën 20 luftëtarë të Shtetit Islamik janë vrarë. Derisa luftimet vazhdojnë, është shtuar ndjeshëm numri i refugjatëve që largohen nga zonat e konfliktit. Në kufirin me Turqinë kanë kaluar 100 mijë njerëz. 
 
“Militantët e ISIS-it vranë kushëririn tim, ata sulmuan fshatin tonë”- deklaroi refugjati nga Siria, Mohammed Ali.
 
“Ne vetëm duam të jemi të sigurt nga ata përbindësha, vetëm duam të kthehemi në shtëpitë tona”- tha refugjati nga Siria, Najah Khalid.
 
Që nga fillimi i operacioneve, mbrëmë janë kryer të paktën 50 sulme ajrore në Raqqa dhe Deir al-Zor, teksa nuk janë goditur vetëm objektiva të ISIS-it, por edhe të Fronit al-Nusra, një organizatë e lidhur me al-Kaedan.
 
Gjithsesi edhe përkundër fillimit të operacioneve ushtarake në Siri, SHBA-të mbeten në qëndrimin se në asnjë lloj mënyre nuk do të koordinojnë luftimet e tyre kundër Shtetit Islamik, me qeverinë e Bashar al-Assadit.
 
Presidenti, Barack Obama, prej kohësh ka theksuar se do të donte të shihte Assadin të larguar nga pushteti, veçanërisht pas përdorimit të armëve kimike ndaj popullit të tij vitin e kaluar. 
 
MIGENA GORENCA