Maqedoni

Testimi PISA, Ademi: Kemi përmirësim nga dy vite më parë

03.12.2019 16:59

Testimi ndërkombëtar PISA për vitin që lamë pas, sërish tregoi nivelin e arsimit në vend....

Maqedonia e Veriut është në vendin e 62 sipas rezultateve nga shkencat natyrore, në vendin e 66 për nga leximi me të kuptuar dhe në vendin e 67 sipas rezultateve të matematikës. Pas nesh në rajon radhitet vetëm Kosova, që u gjend  në vendin e 77. Rezultatet i publikoi Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Nga MASh thonë se këto rezultate janë të mira  krahasuar me ato që janë shënuar në dy testimet e mëparshme.
 
“Rezultatet e fundit tregojnë se në të gjitha fushat kemi përmirësime të konsiderueshme të rezultateve, respektivisht përmirësim të arritjeve të nxënësve. Testimi PISA 2018 na dha pasqyrë reale rreth asaj se ku gjendet sistemi ynë arsimor në hartën globale dhe sa janë të aftë nxënësit tanë të zbatojnë njohuritë e tyre.”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
 
Reformat në Arsim, Ademi: Nuk ndodhin brenda natës, duhet kohë
 
Ademi thotë se rezultatet janë indikatorë për të vazhduar me reforma dhe për të krijuar sistem arsimor cilësor, por pohon se reformat nuk bëhen brenda një nate.
 
“Qeveria, MASh-i, si dhe të gjitha institucionet dhe palët e përfshira vazhdojmë me zbatimin e reformave, si dhe me ndryshimet – të cilat nuk mund të ndodhin brenda natës, për të cilat nevojitet shumë angazhim, punë dhe aktivitet.”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Vitin e kaluar këtij testimi në vendin tonë iu nënshtruan 5500 nxënës nga shkollat e mesme, që u testuan në tri kategori. Nxënësit e shkollave të mesme të vendit iu nënshtruan të njëjtit testim edhe në vitin 2000 dhe 2015. Në testimin e realizuar katër vite më parë vendi ynë u radhit në fund të listës, gjegjësisht i 72 në botë, së bashku me Tunizinë, Kosovën, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.
 
Testimi që realizohet në 79 shtete, radhiti të parën për 2018 Kinën, të pasuar nga Singapori. Nga vendet e Evropës, e para është Estonia, që në rangimin e përgjithshëm është në vendin e pestë. Nga vendet e rajonit, e para është Sllovenia - e 21 në listën e përgjithshme, Kroacia e 29-a, Serbia e 45-a, Mali i Zi e 52-a, Bosnja dhe Hercegovina e 62-a. Të fundit në  listë janë Republika Dominikane dhe Filipinet.
 
GAZMEND KURTISHI