Maqedoni
Xhaferi takoi ambasadoren kroate Tiganj, në fokus marrëdhëniet dypalëshe
03.12.2019 17:10
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka pritur në takim ambasadoren e sapoemëruar të Kroacisë...

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka pritur në takim ambasadoren e sapoemëruar të Kroacisë në vend, Nives Tiganj. Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi gjatë takimit ka theksuar se: “Kroacia është mike e dëshmuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mbështetëse e integrimit të saj evropian dhe euroatlantik, fakt i cili vlerësohet dhe respektohet shumë. Ai është shprehur i bindur se kjo mbështetje e fuqishme do të përforcohet gjatë kryesimit të ardhshëm të Republikës së Kroacisë me Këshillin e Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm dhe do të rezultojë me marrje të datës për fillim të negociatave në Samitin e majit në Zagreb”.
Xhaferi, sipas njoftimit, ka informuar se mosmiratimi i vendimit për fillim të negociatave ka shkaktuar dëshpërim të madh te qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ne edhe më tutje mbetemi të përkushtuar në procesin reformues, teksa në kontekst të NATO-s vendi e pret ratifikimin e fundit të Protokollit aderues për anëtarësim në NATO nga ana e Parlamentit të Spanjës.
Nga ana tjetër, ambasadorja Tiganj ka përcjellë bindjet e kryesisë së lartë kroate të shtetit për mbështetjen e mëtejshme të integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke shpresuar se gjatë kryesimit të ardhshëm të Republikës së Kroacisë me Këshillin e Bashkimit Evropian do të korrigjohet padrejtësia ndaj vendit.
“Ajo theksoi se Republika e Kroacisë ka 12 projekte tvining me disa institucione shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet të cilave transmetohet përvoja kroate dhe ndihmohet në procesin e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Si vendim i veçantë shtet-formues me pasojat e gjata pozitive në planin e jashtëm politik për vendin i vlerësoi marrëveshjet e kompromisit me Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut u dha fund çështjeve të hapura”,- thuhet në kumtesën e Kuvendit.
NAIM RAMADANI
