Maqedoni
Ligji për falje, Qeveria pranon nismën për interpretim autentik
03.12.2019 17:27
Qeveria miratoi mendimin e Ministrisë së Drejtësisë që të pranohet nisma...

Qeveria miratoi mendimin e Ministrisë së Drejtësisë që të pranohet nisma për interpretim autentik të nenit 11 të Ligjit për falje, e dorëzuar nga deputetët, Sashko Kostov dhe Dime Velkovski.
“Në mars të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e tërhoqi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falje nga viti 2009, por me tërheqjen e Ligjit nga viti 2009, nuk kthehet në fuqi dispozita e nenit 11. Kjo do të thotë që presidenti i Republikës nuk kishte dhe as që tanimë ka mundësi juridike të falë pa zbatimin e procedurës në bazë të këtij neni dhe sipas kësaj të gjitha aktet për faljen e presidentit të shtetit të bazuara në nenin 11 të Ligjit për falje, janë të paligjshme dhe si të tilla të pavlefshme.”,- thuhet në mendimin e Qeverisë.
Janushev: Pse Zaevi nuk i pranon kërkesat e VMRO-së?
Ndërkaq, VMRO-DPMNE shtron problemin në një pistë tjetër. Ajo këmbëngul në dy kërkesat e saj për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për falje dhe përjashtimin me ligj të personave të amnistuar nga jeta politike.
“Pse nuk e pranon kërkesën që amnistia të mos vlejë për politikanë dhe bartës funksionesh dhe të amnistuarit të mos guxojnë të merren me politikë? Prej çka frikohet Zoran Zaev dhe pse nuk e pranoi Ligjin për ekzaminimin e origjinës së pasurisë së politikanëve?”,- theksoi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
Kostov: Propozimi i Mickovskit, amnisti për VMRO-në
LSDM edhe një herë ftoi deputetët e VMRO-DPMNE-së që të përkrahin nismën për interpretim autentik të nenit 11 të Ligjit për Falje për të pamundësuar kthimin e abolimit të jashtëligjshëm nga Ish presidenti Ivanov. Propozimet e VMRO-së i cilëson joserioze dhe të vonuara.
“Propozimi i Mickovskit në thelb nënkupton amnisti për të gjithë ata nga VMRO DPMNE që në 11 vite kanë vjedhur, të mos përgjigjen, dhe më pas të mos u lejohet të merren me politikë. Kjo është e jo serioze dhe e turpshme. Kërkesa për interpretim autentik të nenit 11 të Ligjit për falje, të parashtruar nga grupi parlamentar I LSDM-së, është që të pengojmë kthimin e abolimit ilegal të Gjorge Ivanovit.”,- tha Sashko Kostov nga LSDM.
LSDM konsideron se zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë tregojnë se gjyqësori mbetet fortesa e fundit e mbetjeve të regjimit dhe e "shtetit të kapur". Prandaj, vlerëson se një proces i vettingut mbi gjyqtarët dhe prokurorët publik është i nevojshëm.
SHPËTIM NUREDINI
