Maqedoni

Milevski e pranoi fajin për “Zhvatjen”, Janeva dhe Jovanovski nuk ndjehen fajtorë

03.12.2019 17:49

Zoran Milevski-Kiçeec e pranoi fajin që në gjykimin e parë për rastin “Zhvatja”...

Zoran Milevski-Kiçeec e pranoi fajin që në gjykimin e parë për rastin “Zhvatja” dhe  aktvendimi gjyqësor për të njëjtin do të shpallet të mërkurën. Por, dy të akuzuarit e tjerë, Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva, nuk e ndjejnë veten fajtorë. Prokurorja Ruskoska ka pritur pranim të fajit nga të gjithë të akuzuarit dhe jo vetëm nga Milevski. 
 
“Kishte një film “Engjëjt e Çarlit”, kishte një zonjë Katica Janeva, e cila hyri në film duke menduar se askush asgjë nuk mund t’i bëjë, ajo hyri në rrjetin e vetëquajturit yll i estradës, Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13. Prokuroria do të dëshmojë se atë e ka bërë nga lakmia dhe për atë do të prezantojë prova të pakundërshtueshme.”,- deklaroi prokurorja publike, Villma Ruskoska.
 
Jovanovski e quajti rastin të montuar dhe fjalët e prokurores Ruskoska që e quajti yll i vetëshpallur i estradës, i vlerësoi si shfaqje brutale. Tha se do të dëshmojë edhe për organizatorët dhe ndihmësit. Ekspertiza e kamerave nga shtëpia e babait të tij do të tregojë se ku është valixhja me të holla, tha ai. 
 
Edhe ish kryeprokurorja speciale Janeva thotë se nuk ekzistojnë dëshmi kundër saj. Potencoi se ka vepruar me përgjegjësi në mënyrë profesionale dhe ligjore. Shtoi se pret nga trupi gjykues t’i vlerësojë dëshmitë pa paragjykime dhe të mos frikësohet nga kërcënimet e prokurores Ruskoska ndaj gjykatësve. Mbrojtja thotë se prokuroria nuk  posedon dëshmi të mjaftueshme për rastin.
 
“Ku kanë përfunduar të hollat? Ne nuk pohojmë se kemi marrë të holla, gjegjësisht Bojan Jovanovski. Nëse ai di diçka më shumë se unë, me siguri do ta dëgjoni në dëshminë e tij.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.
 
“Vlerësojmë se e gjithë ajo për të cilën ngarkohet në aktakuzë, praktikisht është pjesë e punës nga autorizimet e saja zyrtare që ka pasur të drejtë t’i ndërmarrë si shefe e Prokurorisë Speciale Publike.”,- tha avokatja mbrojtëse, Irena Frçkovska.
 
“Pesha e dëshmisë bie mbi Prokurorinë Publike. Ata konstatojnë se klientja jonë ka marrë 50 mijë euro. Kërkesa jonë legjitime është të kërkojmë që ai prokuror të japë dëshmi për atë, t’i sjellë të hollat në gjykimore, të ketë ekspertizë, ose të paktën të ka një dëshmitar që do të vërtetojë që Katica Janevës i janë dhënë të hollat.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Delo Kadiev.
 
Avokati mbrojtës i Jordan Kamçevit paralajmëroi se do të kërkojë dëmshpërblim prej 1.5 milion euro për klientin e tij, meqë, sipas tij, janë prekur interesat juridiko-pronësore. Dëmshpërblimi do të kërkohet nga Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva. Gjykimi për ish prokuroren, Katica Janeva, dhe për Bojan Jovannovskin do të vazhdojë të premten.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI