Maqedoni

Edhe 150 pelegrinë nisen drejt “Haxhit”

23.09.2014 17:19

Nga Maqedonia sot niset grupi prej rreth 150 haxhinjve, të cilët do të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite, për të plotësuar kushtin e pesë të fesë islame...

Nga Maqedonia sot niset grupi prej rreth 150 haxhinjve, të cilët do të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite, për të plotësuar kushtin e pesë të fesë islame, “Haxhin”, me kompaninë private “Ardi”.
 
Nexhmedin Fazliu, si organizator teknik i këtij udhëtimi thotë se deri më tani ka organizuar më shumë se dhjetë herë udhëtime për në “Haxh” dhe të gjitha kanë qenë të suksesshme.
 
“Ne kemi lejen e Bashkësisë Fetare Islame që të organizojmë këtë “Haxh”, kemi mundësi reale që t’i udhëheqim me mijëra e jo më sa kemi sot, 150 haxhinj. Tollovitë që ndodhin në Lindjen e Mesme nuk do të kenë ndikim tek hanxhinjtë, të cilët duhet të ndihen të rehatshëm”- deklaroi organizatori, Nexhmedin Fazliu.
 
Qytetarët, që këtë vit kanë vendosur ta kryejnë “Haxhin”, thonë se ndjehen shumë të gëzuar që do ta plotësojnë edhe këtë obligim fetar.
 
“Jetoj në Zvicër, kam qenë deri tani tre herë, shkoj me gjithë kënaqësi në “Haxhi”, është i papërshkrueshëm gëzimi. Kam qenë, kam shëtitur gjithë botën, por përjetim shpirtëror të vërtetë ndjej kur shkoj në Meke dhe Medine”- u shpreh një haxhi.
 
“Vlerësoj se është një ndër kushtet e rëndësishme të fesë islame, nuk kam qenë më herët, pres të kalojmë mirë, megjithatë e kam pritë gjatë kohë këtë ditë, kam ëndërruar çdo vjet, por kësmet qenka bash këtë vit t’i provoj këto emocione”- tha një haxhi.
 
Haxhi, është një nga shtyllat më të rëndësishme të fesë islame, plotësimi i këtij kushti e bën një mysliman të presë një kohë të gjatë deri sa i plotëson të gjitha kriteret të përcaktuara nga feja islame.
 
MEMEDALI JUSUFI