Ekonomi

Buxheti për vitin 2020, Bekteshi: Vazhdojmë subvencionet për qytetarët

03.12.2019 18:09

Masat subvencionuese që do të kenë përfitues qytetarin, janë paraparë edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm....

Masat subvencionuese që do të kenë përfitues qytetarin, janë paraparë edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, thotë ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Për këtë qëllim në buxhet janë paraparë 591 milionë denarë.
 
“Subvencionimi i ndërmarrjeve në pronësi të grave, pra duhen ndërmarrjet të jenë mbi 50 për qind në pronësi të grave. Mbështetje financiare për implementimin e sistemit “Hallall”, mbështetjen e turizmit vendas për punëtorët me të ardhura të ulëta dhe subvencionimin shtetëror për blerjen e kolektorëve diellorë termikë për amvisëritë.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Model të ri për subvencionimin e makinave
 
Bekteshi paralajmëroi ndryshime ndërkohë në subvencionet për  ndërrimin e  veturave të vjetra me ato të reja, sipas eko standardeve. Tërheqja nga modeli paraprak është bërë për shkak të modelit limitues të asaj mase, gjë e cila nuk do të kishte efektet e pritura.
 
“Kur  u miratua Ligji për veturat, ishin paraparë dy masa për subvencionim, vendosja e  pajisjes me plin në makina dhe subvencionim direkt për ndërrimin e veturave. E kam paralajmëruar edhe më herët se masa e dytë nuk do të mund të realizohet, marrë parasysh se ka faktorë limitues. Të gjitha masat që implementohen janë sipas parimit “i pari vjen, i pari shërbehesh”, pra nëse do të parashihnim mjete direkte për subvencionim, atëherë do të kishim faktor limitues. Vetëm 500 apo 1000 qytetarë që vinin të parët do të mund të përfitonin e çfarë do të bënim në këtë rast me të tjerët.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ministri Bekteshi nuk mendon se zgjedhjet e parakohshme do të pengojnë aktivitetet e parapara të Ministrisë së Ekonomisë. Potencoi se në vitet paraprake është realizuar mbi 95 për qind e buxhetit të planifikuar.
 
ZEKIRJA MEXHITI