Maqedoni
NATO feston 70 vjetorin, RMV në një tryezë me shtetet anëtare
03.12.2019 18:45
Në 70 vjetorin e themelimit të Aleancës Veriatlantike, në Londër edhe zyrtarisht filluan punimet dyditore të Samitit të NATO-s....

Ardhmëria e Aleancës dhe masat e reja të sigurisë për vendet anëtare, janë temë kyçe e diskutimeve. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, tha se NATO punon me të gjitha vendet në Europë dhe vazhdon të premtojë “derën e hapur” për vendet që duan të bëhen anëtare, nëse ato përmbushin standardet demokratike dhe operative të Aleancës. Megjithatë Stoltenberg pranoi se mes anëtareve ka dallime.
“Jemi 29 aleatë nga të dyja anët e Atlantikut, sigurisht se do të ketë dallime. Do të ishte e çuditshme nëse 29 aleatë, me parti të ndryshme, me histori e gjeografi të ndryshme gjithmonë të pajtohen për gjithçka. Por, mësimi që kemi mësuar nga historia është se, pavarësisht këtyre dallimeve, ne gjithmonë kemi qenë në gjendje të unifikohemi rreth detyrave tona thelbësore, të mbështesim dhe mbrojmë njëra-tjetrën, sepse është në interesin tonë kombëtar të bëjmë kështu.”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Pikërisht tek dallimet u fokusua edhe kryeministri, Zoran Zaev, në një nga panelet e Samitit. Sipas tij, Maqedonisë së Veriut iu bë padrejtësi në Samitin e tetorit, por shtoi se puna me reformat nuk do të ndërpritet edhe përkundër zhgënjimit nga vendimi i KE-së.
“Ishte padrejtësi e madhe për ne, ne jemi kandidat për në BE pesëmbëdhjetë vjet, të gjitha 28 vendet anëtare konfirmuan në Këshillin e BE-së se i kemi përmbushur reformat, gjetëm zgjidhje me Greqinë dhe Bullgarinë, e ndryshuam emrin tonë kushtetues dhe vendimi se BE-së i nevojitet më shumë kohë është shumë destabilizues për ne, shumë ishim të zhgënjyer, por ne vazhdojmë me reformat dhe se shpresoj se ky gabim do të korrigjohet shumë shpejt”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Në këtë festim të përvjetorit të 70 të NATO-s, vend të posaçëm mes pjesëmarrësve në takimet zyrtare dhe jozyrtare ka zënë deklarata e presidentit francez, Makron, që në një prononcim paraprak u shpreh se “NATO e ka trurin të vdekur”. Rreth kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga të pranishmit, që fuqishëm kundërpërgjigjen se NATO jo vetëm që është gjallë, por do të ketë edhe një ardhmëri të ndritur, sepse Europa nuk mund të llogarisë në mbrojtjen e saj, nëse Aleanca Veriatlantike nuk do të ekzistonte më.
Në kuadër të Samitit po zhvillohen edhe një sërë takimesh bilaterale. Para fillimit të Samitit zyrtar, delegacioni i RMV-së, i udhëhequr nga kryeministri, Zoran Zaev, e ku marrin pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, patën një takim me ish sekretarin e NATO-s, Xhorxh Robertson, ku u diskutua për anëtarësimin tashmë pothuajse fuqiplotë të Maqedonisë së Veriut. Në të gjitha solemnitetet në këtë samit, flamuri i RMV-së valëvitet përkrah 29 anëtarëve të tjera të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
FATOS MUSLIU
