Maqedoni

Vetoja franceze për RMV-në dhe Shqipërinë, Micotakis: As Greqia ndoshta nuk ishte gati në 1979-n

03.12.2019 18:57

Kryeministri grek, Kiriakos Micotakis, i kujton shefit të Elizesë, Emmanuel Macron....

Kryeministri grek, Kiriakos Micotakis, i kujton shefit të Elizesë, Emmanuel Macron, se presidenca franceze dikur u tregua e guximshme për çeljen e negociatave të Greqisë, pasi kishte rëndësi gjeostrategjike.
 
Në intervistën për “Financial Times”, Micotakis  përkujton Makronin se: “Në vitin 1979, Greqia përfundoi negociatat për t’u bërë anëtare e Komunitetit Ekonomik Europian, sepse presidenti francez, në atë kohë, mori një vendim të guximshëm, duke parë kontekstin dhe rëndësinë e madhe gjeopolitike, që Greqia duhej t’i përkiste Evropës për të kapërcyer traumën e Junta-s. A ishte Greqia gati të bashkohej në atë kohë? Kush e di?! Ishte një vendim gjeopolitik,  një vendim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”,- thotë kryeministri grek.  Sipas tij,  rruga evropiane duhet të mbahet e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që të plotësojnë kërkesat e Unionit. 
 
“Ky nuk është një proces automatik, përndryshe kjo zbrazëti do të mbushet. Shpresoj që ky gabim do të korrigjohet. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se, vendimi i marrë në Këshillin Europian,  duhet të rishikohet në vitin 2020.”,- thotë Micotakis.