Maqedoni
Ekspertët gjermanë ndihmojnë luftën kundër korrupsionit
23.09.2014 17:38
Komisioni Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit në bashkëpunim me ekspertë të BE-së...

Komisioni Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit në bashkëpunim me ekspertë të BE-së, kanë nisur zbatimin e projektit “Mbështetje për prevenim efikas në luftën kundër korrupsionit”.
Ky projekt pritet që të forcojë kapacitetet e vendit për ta luftuar korrupsionin.
Ekspertët nga BE, përkatësisht nga Gjermania dhe ata vendorë, gjatë zbatimit të projektit do të koncentrojnë veprimin e tyre në tetë komponenta, të cilat, sipas tyre, do të krijojnë një bazë të mirë për ta parandaluar këtë dukuri shoqërore.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të ngrit për një shkallë të caktuar politikën për anti-korrupsion në Maqedoni, që do të thotë forcim të normave, si dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve për parandalimin e korrupsionit”- deklaroi kryetari i Komisionit për Anti-korrupsion, Gjorgji Sllamkov.
“Ne jemi mjaft të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit dhe duam që t’i mbështesim vendet që aspirojnë aderim në Bashkimin Evropian. Ky projekt parashikon një sërë aktivitetesh, të cilat duhet të realizohen në shumë fusha sensitive, prandaj Lidhja e Shërbimeve Administrative gjermane do të ndihmojë në përmirësimin e situatës”- tha zëvendëskryetari i Shërbimit Administrativ-Gjermani, Volf Shverd.
Nga Ministria e Drejtësisë paralajmërojnë mbështetje dhe bashkëpunim të plotë për projektin.
“Roli i Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të krijimit të kornizës së mirëfilltë juridike për të siguruar mekanizma juridik në luftë kundër korrupsionit, do të jetë i orientuar në drejtim të ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve aktuale dhe krijimit të mekanizmave të mirëfilltë jo vetëm në luftimin e korrupsionit, por edhe të bashkëpunimit të organeve brenda shtetit, për të luftuar këtë fenomen”- u shpreh ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Për projektin në fjalë, nga IPA-fondet janë siguruar 1.4 milion euro, ndërsa do të zgjasë 24 muaj.
NAIM RAMADANI
