Maqedoni

49 të lënduar nga përmbysja e autobusit në Shkup

23.09.2014 17:44

Mëngjesin e sotëm është rrokullisur autobusi me numër 67, i cili qarkullon në relacionin Shkup-Zelenikovë...

Mëngjesin e sotëm është rrokullisur autobusi me numër 67, i cili qarkullon në relacionin Shkup-Zelenikovë, me ç’rast kanë marrë lëndime të gjithë udhëtarët, disa prej të cilëve lëndime më të rënda.
 
Ata u dërguar në disa spitale në qytetin e Shkupit, 3 prej tyre janë me lëndime më serioze, ndërsa të tjerët janë lëshuar në mjekim shtëpiak. 30 pacientë janë pranuar në Spitalin për Sëmundje Kirurgjike në “Shën Naum i Ohrit”, 5 në Spitalin “8 shtatori” dhe 14 në Qendrën Urgjente. 
 
“Pas diagnostifikimit të shpejtë kemi ardhur në përfundim se të gjithë janë me lëndime të lehta trupore dhe pas dhënies së ndihmës adekuate medicinave janë kthyer të gjithë në mjekim shtëpiak. Njëri ka qenë me lëndime pak më të rënda, me thyerje të ashtit të hundës dhe lëndim në kokë të indeve të buta, i është bërë trajtim dhe i është udhëzuar që të lajmërohet në Klinikën për Hundë, Vesh dhe Fyt, për trajtim të mëtutjeshëm”- deklaroi drejtori në Qendrën Urgjente, Rexhep Selmani.
 
“Të gjithë janë diagnostifikuar, një pacient është hospitalizuar në Repartin e Neurokirurgjisë me konfuzion në kokë, ndërsa pacienti tjetër gjithashtu është në Klinikën e Traumës dhe Neurokirurgjisë”- tha drejtoresha e Spitalit “Shën Naumi i Ohrit”, Jasmina Çabukovska-Radullovska.
 
Nga SPB, thonë se po punohet në përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. 
 
“Është dalë në vendin e ngjarjes, është kryer ekspertiza dhe po punohet në përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”- u tha nga SPB-Shkup.
 
Nga Ndërmarrja Publike Transportuese, theksojnë se ende nuk është përcaktuar shkaku i aksidentit, por autobusi ka qenë teknikisht në rregull. 
 
“Sipas evidencës sonë, është autobus teknikisht i rregullt, por gjithsesi edhe kjo do të jetë pjesë e raportit të MPB-së dhe të shohim nëse shërbimet tona kanë kryer punën si duhet”- theksoi drejtori i NPQ-së, Misho Nikollov.
 
Detaje më të hollësishme rreth shkaqeve të aksidentit do të kumtohen gjatë ditës së nesërme.
 
SANIJE KASAMI