Maqedoni

Gjykata Kushtetuese anulon seancën për shlyerjen e faljeve të Ivanovit

04.12.2019 12:35

Gjykatësit kushtetues në seancën e sotme kanë anuluar pikën e rendit të ditës për shlyerjen e faljeve që i dha ish presidenti, Gjorge Ivanov...

Gjykatësi, Osman Kadriu, ka kërkuar të shtyhet kjo pikë, me arsyetimin se në Parlament ka filluar procedurë për interpretim autentik të neneve nga Ligji për falje.

Gjykata Kushtetuese ngriti procedurë për vlerësimin e kushtetueshmërisë të nenit 11 nga Ligji për falje nga viti 2016, që i mundësohet ish presidentit të vendit, Gjorge Ivanov, të shlyejë faljet që vet i dha në vitin 2016.

Kjo do të thotë se gjashtë gjykatësit kushtetues me pranimin e kësaj iniciative të ngritur që në vitin 2016, e hapën rrugën për gjithë 56 personat të cilët Ivanov i fali, e më pas tërhoqi vendimin të lirohen tërësisht nga përndjekja penale.

Gjykata konsideron se me Ligjin për ndryshimin e Ligjit për falje, dilet jashtë kompetencave nga autorizimet e dhëna që i ka presidenti që është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse shkelet principi i qeverisjes të së drejtës dhe siguria juridike e qytetarëve.

Sipas gjykatësve kushtetues, presidenti në përputhje me Kushtetutën, ka të drejtë vetëm të falë, por jo dhe të tërheqë faljen, që do të thotë se Kushtetuta nuk parasheh mundësi për tërheqje të faljes së dhënë.

Dy deputetë të LSDM-së urgjentisht dorëzuan kërkesë për interpretim autentik në Kuvend.