Maqedoni
LSDM: Nuk marrim pjesë në zgjedhje
23.09.2014 17:48
Në qoftë se pushteti do të kërkonte zgjedhje të parakohshme parlamentare, qofshin ato të pjesshme apo të përgjithshme...

Në qoftë se pushteti do të kërkonte zgjedhje të parakohshme parlamentare, qofshin ato të pjesshme apo të përgjithshme, LSDM-ja nuk do të merrte pjesë në ato, për shkak se kriza politike në vend nuk do të zgjidhej, por do të thellohej më shumë.
Kështu ka deklaruar Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së, pas deklaratës së publikuar në disa media të kryetarit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, se në nëntor mund të ketë zgjedhje të pjesshme parlamentare.
Madje, Shilegov ka deklaruar që LSDM-ja qartë dhe publikisht ka parashtruar 5 kërkesat e saj, ndërsa nuk do të marrë pjesë në zgjedhje të cilat nuk do të jenë të organizuara nga një qeveri teknike.
“Katër nga ata korrespondojnë në tërësi me raportin e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve parlamentare në prill të këtij viti, kushti i pestë, qeveria teknike është kusht që ne e vendosim, duke pasur parasysh që VMRO-DPMNE dhe Nikoilla Gruevski e ka humbur tërësisht besimin te LSDM për mundësinë dhe vullnetin e tyre, që të organizojnë zgjedhje normale, korrekte dhe demokratike. Për këto arsye, LSDM-ja tërësisht do të mbetet në qëndrimet e thëna deri më tani”- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Nga BDI, deputeti, Rafiz Haliti, deklaron se BDI çdo herë i ka bërë thirrje opozitës që të kthehet në kuvend, për shkak se zëri i opozitës duhet të dëgjohet prej ulëseve të kuvendit, pasi ajo është edhe në interes të qytetarëve.
Haliti shprehet se pavarësisht raportit që vendi do të marrë nga KE, kuvendit i takon të vendosë se kur duhet të mbahen zgjedhje parlamentare.
“Sa i përket raportit që RM do të merr, pavarësisht se çfarë raporti do të merr, mendoj se kryetari i kuvendit dhe deputetët e kuvendit gjithsesi duhet të respektojnë rregulloren e kuvendit dhe në bazë të rregullores duhet të bihen vendimet se a do të ketë zgjedhje parciale të parakohshme, ato gjëra i rregullon rregullorja dhe ne jemi të detyruar që në bazë të rregullores t’i sjellim vendimet tona”- tha deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
Dje, kreu i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, në deklaratën e transmetuar nga Televizioni “Telma”, ka deklaruar se nëse deputetët e opozitës, të kryesuar nga LSDM-ja, nuk kthehen në kuvend, në nëntor nuk përjashtohet mundësia e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Por, sot, vetë Dimovski ka dalë me deklaratë tjetër për disa portale informatike, ku ka deklaruar se deklarata e një dite më parë i është nxjerrë nga kontesti.
Madje, Dimovski ka thënë se shpreson që nuk do të vihet deri tek zgjedhjet e parakohshme, pasi që beson se deputetët e LSDM-së do të kthehen në kuvend.
MEFAIL ISMAILI
