Maqedoni
Rasti “Titanik”, Zaec: Dhamë letërnjoftime pa kontroll adrese
04.12.2019 15:13
Në seancën e radhës për rastin “Titanik”, dëshmitarja, Zhaneta Zaec...

Në seancën e radhës për rastin “Titanik”, dëshmitarja, Zhaneta Zaec, e punësuar në repartin drejtues të SP - Resnjë pranë MPB-SPB - Manastir, e cila në vitin 2012 ka punuar në dhënien e letërnjoftimeve, dëshmoi dhënien e letërnjoftimeve për qytetarë nga Pusteci.
“Në atë periudhë kishte një grup më të madh personash nga Shqipëria, që kishin marrëveshje për shfrytëzim të banesës dhe certifikatë nga libri amë. Të njëjtët i fotografuam pa u bërë kontroll paraprak i adresës”,- deklaroi dëshmitarja. Sipas saj, janë konsultuar me përgjegjësen për vërejtjet të cilat dolën në sipërfaqe, por kryeshefja u ka thënë të mos i refuzojnë dhe t’i lënë gjithsesi pa zgjidhje.
Në pyetjen e të akuzuarit, Ilija Dimovskit, nëse ka pasur kontroll në listën zgjedhore, dëshmitarja tha se listën e kanë marrë nga Komisioni Zgjedhor. Gordana Jankulloska u interesua nëse në punën e saj dëshmitarja ndonjëherë ka pranuar kërkesë pa dokumentim të tërësishëm, përgjigjja ishte jo. Mile Janakieski pyeti nëse ka ndalesë ligjore për fotografim gjatë dorëzimit të dokumentacionit, dëshmitarja tha se ligji kërkon dokumentim të plotë që të bëhet fotografimi për dhënien e letërnjoftimeve.
Mungon dëshmitari, shtyhet për më 29 janar gjykimi për “Titanik 3”
Është shtyrë ndërkohë për më 29 janar gjykimi për “Titanik 3”, për shkatërrimin e materialit zgjedhor në zgjedhjet lokale në vitin 2013. Seanca u shty sepse nuk u arrit të sigurohej dëshmia e njërit prej dëshmitarëve që ka paraqitur vendbanimin në Gjermani. Në seancën paraprake, gjykata urdhëroi që nëse nuk mund të sigurohet prania e dëshmitarit në sallë, ai të mund të dëgjohet përmes video konferencës, por edhe kjo nuk u realizua dot.
Është shtyrë për më 29 janar edhe seanca gjyqësore për rastin “Maxhar Telekom”, sërish për mungesë të dëshmitarit. Në gjykatë sot nuk u paraqit Sllobodan Bogoevski.
BELINDA KOKA ADEMI
