Maqedoni
Rasti “Zhvatja” 3 vjet burg për Kiçeec, s’dihet a zgjerohet hetimi
04.12.2019 15:40
Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar aktvendimin e parë për rastin "Zhatja"...

Gjykata dënoi me 3 vjet burg të akuzuarin e dytë, Zoran Milevski Kiçeec, i cili paraprakisht e pranoi fajin. Prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska, tha se janë të kënaqur nga vendimi, pasi nuk ka pritur vendim më të lartë, ndërsa mbrojtja paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit për siç thanë lartësinë e dënimit.
“Mendoj se dënimi i shqiptuar është në rregull, por prapë se prapë, pasi që ta marrë aktvendimin, do të vendos nëse do ta ankimojë lartësinë e dënimit. Ai mund të paraqitet si dëshmitar në procedurë nëse është propozim i prokurorisë ose mbrojtjes.”,- tha prokurorja, Villma Ruskoska.
“Nuk jemi të kënaqur, por deri më tani kemi thënë para gjykatës, aty edhe ku është vendi, se ne do ta ankimojmë këtë aktvendim, kuptohet sa i përket lartësisë së dënimit, për pjesën tjetër as që kemi të drejtë.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Aleksandar Novakovski.
Trupi gjykues pranoi kërkesën e prokurorisë Ruskoska që Zoran Milevskit t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak. Kiçeec ndiqej për veprën penale "Pranim të dhuratës për ndikim të paligjshëm” sipas nenin 359, për çka parashikohet dënim prej 1 deri në 10 vjet. Ende nuk është vendosur se cilat do të jenë hapat e radhës së prokurorisë për vazhdimin e hetimeve për Asociacionin ndërkombëtar të Bojan Jovanovskit, ku e dyshuar është edhe deputetja, Frosina Remenski, prokuroria pret përfundimin e ekspertizave të nevojshme.
“Një pjesë të dëshmitarëve i kemi dëgjuar në fazën parahetimore, tani i presim ekspertizat nga kompjuterët dhe celularët e konfiskuar dhe të shohim se çfarë hapa do të ndërmerren më tutje.”,- tha prokurorja, Villma Ruskoska.
Ruskoska nuk zbuloi as se në çfarë cilësie ishte ftuar gjykatësja, Vesna Dimishkova, në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe nëse do të përfshihet në hetimin e paralajmëruar financiar për disa gjykatës.
Të premten vazhdon gjykimi për dy të akuzuarit e tjerë në rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva.
FLORIJE BELULI KAMBERI
