Maqedoni
Shoqata e Invalidëve në Çair: Librezat invalidore nuk respektohen
04.12.2019 15:51
Personat me invaliditet, ankohen se të drejtat e tyre nuk respektohen aspak...

Personat me invaliditet, ankohen se të drejtat e tyre nuk respektohen aspak e fajtorë për këtë sipas tyre janë institucionet që nuk koordinohen. Ata ankohen se, edhe pse kanë librezë invalidore nga institucionet përkatëse, kjo librezë nuk u vlen pothuajse për asgjë, e sa për pensionet, nuk iu dalin sepse shumica e shumës iu shkon për mjekime.
“Pensionet janë shumë të ulëta, ku sipas një hulumtimit, rreth 70-80% iu shkon në shërbime mjekësore, mos të flasim për nevojat tjera. Mandej tek parkingjet rigorozë asnjë nuk kemi edhe pse ne jemi të pranuar në gjithë botën, në Konventën Botërore të Invalidëve, te ne kjo nuk funksionon. Libreza jonë këtu nuk vlerësohet edhe pse është e dhënë nga këtu, ndërsa në shtetet tjera kudo që shkojmë vlerësohet.”,- deklaroi nënkryetari i Shoqatës Së Invalidëve, Xhelal Palloshi.
“Tash shumë janë vështirësuar parkingjet e qytetit, kemi shumë vështirësi. Në nivel komunal ne nuk kemi problem, krejt problemet invalidët i kanë në nivel qendror.”,- u shpreh kryetari i Shoqatës së Invalidëve – Çair, Ismet Mustafa.
Ganiu: Më shumë koordinim, që të funksionojë sistemi
Nga komuna e Çairit thonë se po punojnë sa munden për të lehtësuar lëvizjen për këtë kategori qytetarësh, por pranon se duhet bërë më shumë nga të gjitha institucionet në nivel qendror.
“Në komunën e Çairit janë bërë disa hapa që të sigurohen ashensorë specialë për kategori të personave që të kenë qasje sa më të lehtë në çdo zyrë. Por, këtë duhet ta ngrisim në nivel më të lartë shtetëror, sepse kjo është zinxhir nëse nuk funksionon i gjithë sistemi atëherë është kot vetëm me një vend. Mendoj që këtu duhet një koordinim më i madh.”,- tha Visar Ganiu.
Personat me aftësi të kufizuar, prindër që kanë fëmijë të kësaj kategorie dhe organizata të ndryshme me 10 dhjetor kanë paralajmëruar protesta para qeverisë për shkak diskriminimit që u bëhet.
REJHANE BUSHI METAJ
