Botë

Meta: Faleminderit, Kosovë! Mirënjohje pjesëmarrësve në operacionet e shpëtimit

04.12.2019 16:02

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vizituar Prishtinën, ku u ndau medalje ushtarëve të FSK-së, Njësitit të Policisë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vizituar Prishtinën, ku u ndau  medalje ushtarëve të FSK-së, Njësitit të Policisë, Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, si dhe të gjithë ekipeve të specializuara, që gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit, treguan një ndjenjë të pashembullt solidariteti vëllazëror pas tërmetit katastrofal të 26 nëntorit në Durrës dhe Thumanë. Gjatë ceremonisë solemne në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në prani të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, Meta u ndau pjesëtarëve të FSK-së “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. 
 
“Kosova ishte e para që u ndodh atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës. Ekipet tuaja nuk ishin atje vetëm fizikisht e profesionalisht, por në radhë të parë njerëzisht vëllazërisht e shqiptarisht, duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë të tjera.”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Presidenti Meta i shoqëruar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, vizituan familjen Abazi, për ta ngushëlluar për humbjen e dy djemve nga tërmeti në Shqipëri. 
 
GYLTENE SINANI