Maqedoni
Memorandum-bashkëpunimi mes shkollave
23.09.2014 17:53
Komuna e Ilindenit në bashkëpunim me projektin e Usaidit për integrim ndëretnik në arsim, festuan përfundimin e punimeve për rinovimin e sh. f. “Goce Dellçev” në Ilinden...

Me këtë rast u nënshkrua edhe memorandum për bashkëpunim mes shkollës fillore “Goce Dellçev” dhe sh. f. “Bratstvo Edinstvo” të fshatit Konjarë, me ç’rast këto shkolla do të bashkëpunojnë gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre.
Sipas ministrit Ademi, kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në implementimin e njërës nga 5 strategjitë për arsimin e integruar.
“Unë jam këtu për të dhënë përkrahjen për të gjitha shkollat, për të vazhduar me implementimin e kësaj strategjie, por edhe për të falënderuar në mënyrë të drejtpërdrejt popullin amerikan për Ambasadën e SHBA-ve, Usaidin, por edhe Gardën nga Vermonti, të cilat na kanë ndihmuar në realizimin e këtij qëllimi”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“Me rëndësi është të potencohet se si njerëzit nga etnitete të ndryshme, me dallime kulturore, religjioze, etnike mund të punojnë dhe të bashkëpunojnë së bashku dhe kjo është qëllimi kryesor i projektit të Usaidit për integrim ndëretnik në arsim, t’i bashkojmë njerëzit që të krijohet një e ardhme më e mirë për Maqedoninë”- tha ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Poll Volers.
Procesi i renovimit është përkrahur nga komanda evropiane e ushtrisë amerikane. Ndërkohë, projekti i Usaidit për integrim ndëretnik deri më tani ka ndihmuar 35 komuna në përmirësimin e objekteve shkollore.
FLUTURA LATIFI
