Maqedoni

Janmat: Shfrytëzoni kapitalin vendor, vazhdoni reformat!

04.12.2019 17:21

Përmirësimi i bashkëpunimit mes kompanive vendore dhe atyre të huaja do të ndikojë në rritjen e konkurrencës...

Përmirësimi i bashkëpunimit mes kompanive vendore dhe atyre të huaja do të ndikojë në rritjen e konkurrencës, produktivitetit dhe kualitetit të prodhimeve të kompanive vendore. Ky është edhe qëllimi i projektit të cilën e financon Bashkimi Europian. Freg Janmat - udhëheqës i sektorit ekonomik të delegacionit të BE-së në Maqedoni vlerëson se politikat e qeverisë për tërheqjen  e investitorëve të huaj ka dhënë rezultat por potenciali i kompanive vendore nuk shfrytëzohet sa duhet dhe inkurajon qeverinë që të vazhdojnë me zbatimin e reformave. 
 
“Ne e kemi identifikuar si problem atë se potenciali i kompanive vendore nuk shfrytëzohet sa duhet. Në dokumentin për vlerësimin e reformave ekonomike pamë se mezi ka disa lidhje të vendosura në mes kompanive vendore dhe atyre të huaja të cilat gjenden në zonat e lira. Qeveria duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave për sundimin e së drejtës, reformat në administratën publike si dhe të vazhdojë lufta ndaj korrupsionit.”,- deklaroi udhëheqësi i sektorit ekonomik të delegacionit të BE-së në Maqedoni, Freg Janmat.
 
Bashkëpunimi mes kompanive vendase e të huaja, Piter: Investuesit nuk vijnë vetë, trokituni në derë
 
Sipas kryetarit të Këshillit për Investitorët e Huaj, Shtefan Piter, kompanitë vendore duhet të trokasin në dyert e kompanive të huaja dhe të ofrojnë shërbimet e tyre.
 
“Kompanitë vendore duhet të trokasin në dyert e kompanive e investitorëve të huaj dhe jo e kundërta, asnjë biznes nuk do të trokasë në dyert e kompanive vendore dhe t’i pyes se çfarë mund të bëjnë për ata. Ne dëshirojmë që kompanitë vendore t’i fusim në biznesin e vërtetë dhe të jenë furnizuesit tanë.”,- tha kryetari i Këshillit për Investitorët e Huaj, Shtefan Piter.
 
Gjithashtu u potencua se duhet të kushtohet kujdes edhe në arsim dhe të nxirren kuadro me aftësi të cilat kompanitë i kërkojnë si dhe kompanitë të rrisin cilësinë dhe standardin e prodhimeve me qëllim të mund të kyçen në procesin e mëtejmë të kompanive të huaja. 
 
GAZMEND KURTISHI