Maqedoni

Anëtarësimi në NATO, Maksuti: Kemi obligime, por përfitimi është i madh

04.12.2019 17:24

Ministria e Mbrojtjes, optimiste se qeveria e re e Spanjës do të nënshkruajë protokollin...

Ministria e Mbrojtjes, optimiste se qeveria e re e Spanjës do të nënshkruajë protokollin e anëtarësimit të vendit në Aleancë më së voni në fillim të shkurtit. Zëvendësministri për mbrojtje, Bekim Maksuti, thotë në “Argument” në TVM2, se anëtarësimi është një e arritur e madhe dhe përpos benifiteve duhet kryer edhe obligimet, që për ushtrinë si anëtare e ardhshme e NATO-s ndahen 1.7 milion euro.
 
“Kjo është shumë qesharake do të kisha thënë në krahasim të benefiteve që kemi edhe para anëtarësimit në NATO. Ne nga NATO çdo vit thithim gati mbi 150 aktivitete, ku pjesëmarrja është nga një deri në 150 persona në këto aktivitete. Pra, vetëm këto kosto nëse e përkthejmë në vlerë është pesëfishi i kësaj që ne duhet ta paguajmë ndaj NATO-s.”,- deklaroi zëvendësministri i mbrojtjes, Bekim Maksuti.
 
Latifi: Modernizimi i Armatës, me kuadër cilësor
 
Profesori universitar, Shpëtim Latifi, shfaq dilemën se modernizimi i Armatës duhet bërë nëpërmjet programeve të ndryshme apo arsimimit të kuadrit cilësor, i cili, sipas tij, është deficitar.
 
“Pra ne këtu kemi ende për të punuar para së gjithash. Normalisht është pasojë e sistemit arsimor edhe e sistemit social edhe e ekonomisë, sepse ne pa këto shtylla nuk do të mund të ofrojmë më tepër kapacitete dhe inovacione në NATO dhe në atë mënyrë të thithim edhe resurse të tjera për projekte inovative të cilat pse jo do t’i kishte aplikuar Maqedonia.”,- tha profesori universitar, Shpëtim Latifi.
 
Ramadani: Rritet pesha e vendimmarrjes drejt BE-së
 
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Veriatlantik, Ismet Ramadani, vë në një paralele anëtarësimin në NATO dhe në BE.
 
“Kur të marrim të drejtën e vetos, rritet pesha e ndikimit të shtetit, sepse ka interesa të ndryshme që gërshetohen dhe dikush e kërkon përkrahjen tënde dhe t’i thotë po në BE, ju nuk po silleni ashtu siç presim ne dhe unë do ta përdor veton në qoftë se në BE nuk më jepet ndonjë mundësi për t’u avancuar.”,- theksoi kryetari i Këshillit Veriatlantik, Ismet Ramadani.
 
Ushtria e vendit për momentin korrespondon me pjesën më të madhe të armatimit të trashëguar nga ish Jugosllavia. Nga Ministria e Mbrojtjes thonë se ngadalë po lëshohet armatimi i lindjes dhe në një plan afatgjatë dhjetëvjeçar planifikohet modernizimi me investim prej 698 milion euro.
 
MERAL ISMAILI