Maqedoni
Protokolli për anëtarësim në NATO, VMRO–DPMNE: Të vihet në rend dite më 11 dhjetor
04.12.2019 17:31
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka ngritur iniciativë deri tek kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi...

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka ngritur iniciativë deri tek kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, që Protokolli për anëtarësim në NATO të vihet në rend të ditës në seancën e caktuar më 11 dhjetor, pa pritur ratifikimin nga Spanja. Në këtë mënyrë, sipas tyre, RMV do t’i përfundonte obligimet e saj të brendshme, me qëllim që mos të shtyhen zgjedhjet e caktuara për më 12 prill.
“Këtë e bëjmë nga nevoja se çdo ditë e më tepër kërkojnë mënyra t’iu shmangur zgjedhjeve. Në Aleancë ka praktika të tilla ratifikimi. Mundësia për ta zgjidhur është e madhe, me qëllim që të mos kemi probleme. Zvarritja e ratifikimit është thjeshtë kumar që po e bën LSDM-ja.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Xhaferi: Nisma duhet të vijë nga Qeveria, jo nga Kuvendi
Por, Xhaferi thotë se iniciativa është drejtuar në vend të gabuar, e njëjta duhet të dërgohet në Qeveri, që kjo e fundit të dalë si propozuese.
"Vlerësoj se për një çështje të tillë në bazë të neneve të cilat thirren ata, Parlamenti nuk është kompetent për një çështje të tillë, për faktin se në nenin 188 sanksionon kompetencat për propozim dhe nisëm për miratim të Ligjit për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare që është kompetencë e Qeverisë. Unë mendoj se nuk ka pengesa që unë ta riadresoj kërkesën deri tek organet përkatëse, respektivisht deri tek Qeveria dhe e njëjta në bazë të kompetencave të vlerësojë se cila do të jetë procedura e mëtutjeshme ndaj kësaj kërkese.",- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Sela kërkon ratifikim më 11 dhjetor: Të mos jetë NATO “shkas” për shtyrjen e zgjedhjeve
Edhe Aleanca për Shqiptarët është pro kësaj iniciative. Sipas kreut të saj, Ziadin Sela, protokolli mund të ratifikohet, e më pas të pritet vetëm Spanja. Sela i bën apel qeverisë të dorëzojë në Kuvend propozimin.
“Këtë propozim deri në Parlament duhet ta bie Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe nuk është iniciativë që mund ta marrinë deputetët, prandaj i bëj apel qeverisë që propozimi për ratifikimin e protokollit për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në NATO të jetë në seancën e 11 dhjetorit që është caktuar. Prandaj bëj apel edhe partive politike, që ne ta ratifikojmë protokollin për anëtarësim e RMV-së në NATO dhe mos të jetë objekt NATO-ja e qëllimit të disa aktorëve politikë të cilët duan që ta shtynë datën për mbajtjen e zgjedhjeve që është paracaktuar për më 12 prill.",- theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Tani i mbetet VMRO-DPMNE-së që një propozim të tillë ta dorëzojnë deri tek Qeveria, e më pas të presin kërkesën nga ekzekutivi që ratifikimi të gjendet në seancë parlamentare më 11 dhjetor.
FITIM KRYEIZU
