Maqedoni

Ligji për amnisti, deputetët: Neni 11 është inekzistent, nuk duhet interpretim

04.12.2019 18:04

Neni 11 i Ligjit për amnisti është inekzistent, prandaj nuk ka nevojë të interpretohet....

Neni 11 i Ligjit për amnisti është inekzistent, prandaj nuk ka nevojë të interpretohet. Këtë konkluzion njëzëri e miratoi Komisioni Juridiko-Ligjvënës në Kuvend lidhur me kërkesën për interpretim autentik të nenit në fjalë. 
 
“Në vitin 2009 praktikisht fshihet neni 11, me qëllim që të pamundësohet e drejta e presidentit që të mund të falë jashtë procedurave. Në vitin 2016 vetëm 2 javë para amnistisë të cilën në mënyrë të jashtëligjshme e bëri presidenti, Kushtetuesja e abrogoi ligjin e vitit 2009, por pa llogaritur se nuk mund ta kthejë në përdorim nenin 11 të abroguar dhe praktikisht i hap rrugën presidentit që ta thyejë Kushtetutën dhe të amnistojë.”,- deklaroi Sonja Mirakovska nga LSDM.
 
“Nuk mund të kërkohet interpretim për një nen i cili nuk ekziston dhe ja sot jemi dëshmitarë të gjithë ne, por edhe mendimi që ka ardhur nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë se vërtetë neni 11 nuk ekziston për arsye së është ndryshuar ligji në vitin 2009 dhe është abroguar në vitin 2016.”,- tha Ejup Halimi nga BDI.
 
ASh dhe Lëvizja “Besa” mbështetën konkluzën. Sipas tyre, pas abrogimit të nenit 11 nga Kushtetuesja, Kuvendi duhej ta qartësojë gjendjen për të mos ardhur në këtë situatë.
 
“Edhe ky kuvendi ynë tash pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kur ka abroguar ndryshimet e ligjit të vitit 2009 pse Kuvendi Republikan nuk ka marrë masa që këtë situatë ta rregullojë dhe ka lënë një zbrazëtirë të madhe për këtë që ne na ndodh sot.”,- theksoi Fadil Zendeli nga BESA.
 
“Mendoj se kjo iniciativë e Gjykatës Kushtetuese për momentet e fundit të kësaj qeverisje na nxjerr nga gjumi dhe do të bëjmë diçka për të parandaluar çfarëdo lloj akti amnistisë së kriminelëve dhe të atyre që janë të implikuar në krim dhe korrupsion.”- tha Syrija Rashiti nga ASh.
 
Paraprakisht, koordinatori i VMRO-DPMNE-së nga foltorja e pres-qendrës tha se mbështesin iniciativën, pasi që nuk duan t’i japin arsye pushtetit për mossuksesin e tyre në gjyqësor.
 
“Si parti politike nuk duam që qeverisë t’i japim arsye të cilat pushtetit do t’i shërbenin si arsyetim për mossuksesin e tyre në gjyqësor. U japim këshillë, nëse duan zgjidhje e cila do të jetë profesionale dhe nuk do të politizohet, Kushtetuesja mund ta ndjekë praktikën e shumë vendeve evropiane, të kërkojnë mendim miqësor nga Komisioni  Venecias.”,- u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Ligji për amnisti për herë të parë është miratuar në vitin 1993, ndërsa plotësimet dhe ndryshimet e tij janë bërë në vitin 2009, me ç’rast është fshirë nga përdorimi i neni 11 i ligjit, ndërkaq në vitin 2016 Kushtetuesja ka abroguar ndryshimet e ligjit të miratuara në vitin 2009.
 
NAIM RAMADANI