Botë

Shqipëri, vëmendja tek strehimi i të dëmtuarve

04.12.2019 18:12

Në Shqipëri e gjithë vëmendja është përqendruar në strehimin e banorëve....

Në Shqipëri e gjithë vëmendja është përqendruar në strehimin e banorëve që u janë dëmtuar shtëpitë pas tërmetit të 26 nëntorit. Qeverinë e ka mbledhur zëvendëskryeministri, Erion Braçe, i cili pasi foli për plan-strehimin e banorëve, paralajmëroi se do të verifikohen të gjitha shtesat e bëra në pallate pas viteve ’90, për të gjetur përgjegjësit e dëmtimit të tyre.
 
“Gjithë vëmendja duhet të përqendrohet te zonat rurale apo periferitë, ku njerëzit kanë preferuar të qëndrojnë pranë zonave të tyre. Duhet të bëhet zëvendësimi i çadrave menjëherë, që të jenë çadra dimërore. Duhet të përshpejtojmë gjetjen e banesave me qira. Kruja, Vora, e kanë të pamundur të gjejnë vetë banesa me qira, do duhet t’i akomodojmë ne në Tiranë. Duhet të bëjmë zhvendosjen brenda këtij muaji dhe strehimin e këtyre personave nga hotelet në shtëpi me qira. Do duhet të mbyllim procesin, Laçi dhe Lezha duhen kthyer në prioritet, për shkak të panikut të përhapur atje, por edhe për shkak të faktit se duhet të nisim programin se ç’do bëhet me ata njerëz.”,- tha Braçe.
 
Situata paraqitet problematike edhe në shkolla, shumë prej të cilave janë dëmtuar. Megjithatë, ministrja e Arsimit Besa Shahini tha se mësimi nis të hënën.
 
“Nesër do fillojë mësimi pjesërisht në qarkun Lezhë. Në Bashkinë Lezhë, një shkollë e dëmtuar në Lezhë, shkolla e Shën Kollit, kemi marrë masat për zhvendosjen. Bashkia Kurbin ka një numër më të madh të shkollave të dëmtuara ndaj mësimi fillon më 9 nëntor. Qarku Tiranë, Bashkia Rrogozhinë, dy shkolla të vogla me probleme janë sistemuar, ndaj mësimi fillon nesër. Bashkia Kamëz ka një shkollë të dëmtuar por mësimi nis nesër. Bashkia Kavajë ka 2 shkolla të dëmtuara, të cilave u është siguruar transporti, mësimi fillon nesër. Bashkia Vorë ka një shkollë të dëmtuar seriozisht, në Vorë nis mësimi më datë 9 dhjetor. Bashkia Tiranë, përveç Pezës ku shkolla është jashtë funksionit nuk ka shkolla të tjera që kanë dëme për t’i nxjerrë jashtë funksionit, por kanë dëme mesatare, ndaj mësimi në Bashkinë Tiranë fillon më datë 9 nëntor.”,- theksoi ministrja e Arsimit, Besa Shahini.
 
Ndërkohë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka zbritur në terren, ku është takuar me disa banorë të strehuar në zonën e Unazës së Re. Kjo godinë ishte parishikuar për t’u prishur nga Bashkia.
Tërmeti i 29 nëntorit nxori në pah edhe solidaritetin e madh në drejtim të shqiptarëve. 
 
LULJETA NDOKA