Maqedoni
Samiti i NATO-s, Stoltenberg: Dyert e NATO-s janë të hapura
04.12.2019 18:20
Në punimet e sesionit të Këshillit Veriatlantik - marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e 29 vendeve anëtare të NATO-s...

Në punimet e sesionit të Këshillit Veriatlantik - marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e 29 vendeve anëtare të NATO-s në mesin e të cilëve është dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
“NATO mbetet platforma e vetme ku ShBA-të dhe Europa diskutojnë, vendosin dhe ndërmarrin aksione së bashku çdo ditë për të mbrojtur 1 miliarda njerëz. Pra, çfarëdo qofshin dallimet tona, ne do të vazhdojmë të unifikohemi rreth detyrave tona thelbësore për të mbrojtur njëri tjetrin, të gjithë për një - një për të gjithë.”, deklaroi Stoltenberg.
Vendi ynë prezantohet në nivel më të lartë në punimet e Aleancës, me çka konfirmohet dhe përcaktimi për ndarje të plotë të parimeve për siguri të përbashkët.
Për herë të parë RMV ka vend të rezervuar në tryezën e përbashkët të vendeve anëtare, që do të thotë se NATO e llogarit vendin tonë si anëtaren e 30 të saj, si anëtare të barabartë.
“Po shikojmë përpara që Maqedonia të jetë anëtarja e 30 e Aleancës dhe kjo demonstron se dyert e NATO-s janë të hapura. Anëtarësimi në Aleancë nuk është mirë vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për tërë rajonin dhe kjo gjithashtu do të tregojë që NATO po ndjek politikën me dyer të hapura. Sa i përket asaj se përse Maqedonia nuk është e mirëpritur nga BE, kjo nuk më takon ta komentoj unë.”,- theksoi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Zaev: E ardhmja jonë, adresën e ka në Bruksel
Samiti i NATO-s në Londër është historik dhe domethënës për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Po e shijojmë ëndrrën e gjeneratave para nesh të të gjithë qytetarëve dhe liderëve që janë inkorporuar në arritjen e këtij qëllimi strategjik, që filloi me pavarësinë e shtetit. E ardhmja e Maqedonisë ka adresë, kjo adresë është selia kryesore e NATO-s në Bruksel.
“Këto dy ditë në Londër, në shoqëri të të gjithë liderëve të vendeve anëtare të kësaj aleance, të gjithë liderët njëzëri deklaruam se NATO është Aleanca më e fuqishme e sigurisë dhe simbol për vlera të mëdha demokratike dhe ne jemi pjesë e kësaj aleance. Maqedonia e Veriut është faktor për stabilitet në rajon, vend ku qytetarët e vendit kanë të ardhme të sigurt. Sot me të drejtë mund të themi se jemi pjesë e proceseve globale të radhitura pranë fuqive më të mëdha, ku së bashku do të kujdesemi për të gjitha rreziqet e mundshme. Ky sukses i gjeneratës le të jetë shtysë për BE-në, që të përmirësojë gabimin e saj dhe për gjithë ne le të jetë shtysë që në të ardhmen të vazhdojmë me reforma, me qëllim që të krijojmë një ambient më të sigurt dhe më me vlera. Kjo krenari është e meritueshme, të gjithë qytetarët e ndjejmë këtë gjë, duhet të vazhdojmë me guxim në të ardhmen dhe ta përfundojmë rrugëtimin tonë me anëtarësimin e vendit në BE.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Përkrahja për RMV-në në Samitin e NATO-s, Osmani: Motivim për proceset integruese
Suksesi në Samitin e Londrës është një impakt, shtysë dhe motivim për të vazhduar rrugën e sigurt të RMV-së në proceset euroatlantike.
“Është ditë kur ne e garantuam të ardhmen tonë kolektive, si popull, si shoqëri, edhe si vend në një botë të paparashikueshme. Në një tavolinë të barabartë dhe vendimmarrëse me vendet më të fuqishme të botës. Nuk mund me fjalë t’i përshkruaj, por ajo çfarë e di është se do krijojë rehati në familjet tona, tek të rinjtë, për të planifikuar të ardhmen e tyre këtu, se këtij vendi, këtij popull, këtij rajoni i është garantuar paqe, siguri dhe prosperitet për të ardhmen.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Samiti i NATO-s në Londër u zhvillua në atmosferë konstruktive. “NATO mbetet Aleancë e fortë ushtarake dhe mbrojtëse e vlerave demokratike.”,- ka thënë në përfundim të punimit dyditor të Samitit të NATO-S në Londër sekretari I përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
FATOS MUSLIU - Londër
