Maqedoni
Debat mbi “Insuficiencën akute të veshkave”
23.09.2014 17:56
Ekspertë vendorë dhe të huaj kanë debatuar sot mbi temën “Insuficiencën akute të veshkave”...

Ekspertë vendorë dhe të huaj kanë debatuar sot mbi temën “Insuficiencën akute të veshkave”, e cila shkaktohet te pacientët me gjendje të rëndë shëndetësore para operacionit ose menjëherë pas operacionit. Në nivel botëror, vdekshmëria pas paraqitjes së insuficiencës akute te veshkat arrin në 70%, thekson mjeku i njohur në vend, Zhan Mitrev.
“7 deri në 8 për qind e pacientëve që futen në operacion kanë mundësi potenciale të zhvillojnë insuficiencën akute të veshkave. Ky komplikim është i lidhur me mortalitet të lartë, në nivel botëror është një problem i njohur dhe kur një pacient arrin te një komplikim i tillë, vdekshmëria arrin deri në 70%”- deklaroi drejtori i Spitalit “Filipi i Dytë”, Zhan Mitrevi.
Ai sqaron se secili pacient që futet në operacion, qoftë nëse bëhet fjalë për operacion abdominal, ortopedik apo ndonjë operacion tjetër, mund të zhvillojë insuficiencën e veshkave, pasi që një numër i madh i pacientëve kanë arritur në nivelin kur funksioni i veshkave është shkatërruar për shkak të diabetit, apo sëmundjeve tjera sistemore dhe në atë mënyrë vjen deri te ndërprerja e menjëhershme e funksionimit të veshkave.
Por, Mitrev theksoi se tani ka shumë mundësi për qasje moderne dhe efektive për shërimin nga kjo gjendje, që ka ndikuar në rritjen e përqindjes së pacientëve që arrijnë të mbijetojnë.
Edhe Shpend Idrizi, udhëheqës në repartin e diagnostifikimit nga sëmundjet kardiovaskulare në Spitalin “Filipi i Dytë”, tha se theksi i këtij debati do të vihet te problemet e një pacienti që duhet të operohet nga zemra, por njëkohësisht ka probleme edhe me veshkat.
“Ky seminar kryesisht ka të bëjë me problemet e një pacienti, i cili duhet të operohet për zemër, por njëkohësisht ka probleme edhe me veshkat. Këtu janë të thirrur ekspertë të ndryshëm, të cilët do të diskutojmë rreth kësaj problematike”- tha mjeku, Shpend Idrizi.
Pjesëmarrës në këtë debat ishte edhe Kai Harenski, drejtor i Spitalit në Mynhen, i cili theksoi se edhe në spitalet e Maqedonisë pacientët trajtohen në mënyra të ngjashme me ato në Evropë, por ajo që e brengos është çmimi i trajtimit, i cili vazhdimisht rritet. Madje u theksua se në Spitalin “Filipi i Dytë” në Shkup, 50 % e pacientëve vijnë nga vendet rajonale si: Kosova, Shqipëria, Serbia dhe shtete tjera.
