Maqedoni

Lëvizja BESA: Reformë urgjente e serioze në gjyqësor

04.12.2019 18:30

Lëvizja BESA kërkon reformë cilësore në gjyqësor....

Besa kërkon që presidenti Pendarovski të marrë në konsideratë propozimin për formimin e një komisioni shtetëror, me ekspertë të brendshëm dhe nga jashtë, për të filluar reformën e plotë, cilësore dhe thelbësore në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe prokurorisë. Gjithashtu për t’i lehtësuar punën kryeministrit Zaev, që kërkoi nga Anti-korrupsioni të hetojë në detaje pasurinë e çdo gjykatësi dhe prokurori, BESA propozon sjelljen e ligjit që pamundëson punësimet nëpër gjykata e prokurori të të afërmve të politikanëve. 
 
“Propozojmë që në Kuvend të sillet ligj ku do pamundësohet që familjarë të afërt me funksionarë politikë të jenë të punësuar si gjykatës apo prokurorë, gjithashtu të sanksionohet me ligj që pjesëtarë nga rrethi i ngushtë familjar mos të kenë të drejtë të jenë edhe avokatë edhe gjykatës ose prokurorë, pasi që ky lloj i nepotizmit dhe ky konflikt interesi ka sjellë gjyqësorin në situatën aktuale ku kemi të rrënuar në tërësi gjithë sistemin e drejtësisë së vendit. Maqedonisë së Veriu i duhet urgjent një reformë serioze, thelbësore dhe cilësore e sistemit të drejtësisë, përndryshe me këtë sistem të drejtësisë me qasje selektive, të partizuar, të korruptuar dhe jofunksionale, ky shtet asnjëherë nuk do të mund të krijojë të ardhme të sigurt.”,- deklaroi zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU