Maqedoni

ZGJOHU: Reagimi i MPJ-SË diletantizëm politiko-diplomatik

23.09.2014 18:06

Diletantizëm politiko-diplomatik dhe veprim të pamenduar mirë me pasoja negative për ardhmërinë e vendit...

Diletantizëm politiko-diplomatik dhe veprim të pamenduar mirë me pasoja negative për ardhmërinë e vendit, e ka vlerësuar Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” aktin e djeshëm të reagimit të MPJ-së ndaj ambasadorit amerikan.

Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!”, përkujton se aleati më i madh i Maqedonisë nga pavarësimi e deri në ditët e sodit janë ShBA-të; mbështetja politike, ndihmat dhe donacionet në shumë sfera të ndryshme nuk kanë munguar, prandaj reagimi ndaj ShBA-ve është jashtë çdo logjike të shëndoshë.

Pasiguria identitare dhe komplekset historike nuk guxojnë të jenë ngarkesë dhe pengesë për marrëdhënie të mira me mikun më të fortë në glob e as me shtetet fqinje ballkanike.

Reagimi ndaj ambasadorit, Jess Bailey, nuk është rast i izoluar, sepse kjo garniturë e ka të sprovuar këtë taktikë ndaj ambasadorëve miq, si të atij të BE-së, Fouere, holandezëve, Shurman dhe Filipini, gjermanes Shtajnaker, etj.

“ZGJOHU!” e fton Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë të përpilon politikë reale dhe të mirëfilltë të jashtme, duke e vendosur procesin integrues të vendit si prioritet absolut dhe të mos i përkeqësojë marrëdhëniet me partnerët strategjik të vendit.