Maqedoni

USHT, debat mbi ndryshimet kushtetuese

23.09.2014 18:26

Në debatin rreth draft-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, në debatin para profesorëve dhe studentëve të fakulteteve juridike të vendit...

Në debatin rreth draft-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, në debatin para profesorëve dhe studentëve të fakulteteve juridike të vendit, që u organizua në USHT, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, theksoi se ndryshimet kushtetuese kryesisht janë fokusuar në tri sfera, të cilat janë shumë të rëndësishme për shoqërinë në përgjithësi, sfera e parë lidhet me gjyqësorin, sfera e dytë me të drejtën familjare dhe e treta ka të bëjë me financat.
 
“Në sferën e gjyqësorit propozohen dy ndryshime, që besoj se janë shumë të rëndësishme për funksionimin e këtij pushteti në kornizat e pushtetit shtetëror. E para ka të bëjë me ndryshimin dhe përbërjen e Këshillit Gjyqësor të RM-së dhe unë si ministër propozoj që në të ardhmen ministri i Drejtësisë të mos jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor të RM-së, ashtu që propozohet edhe kryetari i Gjykatës Supreme të mos jetë anëtar i këtij këshilli dhe këto dy vende të plotësohen me gjyqtar përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta nga gjykata”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
Rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti, ka kërkuar që në këto ndryshime të arrihet konsensualiteti etnik dhe politik, ndërsa dekani i Fakultetit Juridik të USHT-së, prof. dr. Mersim Maksuti, tha se për momentin në Maqedoni nuk është koha e duhur për ndryshimet kushtetuese.
 
“Ne vlerësojmë se në analizën dhe shqyrtimin e ndryshimeve të lartpërmendura të arrihet në konsensualitetin etnik dhe politik, por edhe të bëhen konsultime edhe me ekspertë të Komisionit të Venedikut, si trupë e përbërë nga juristë ndërkombëtarë, që do të harmonizonin qëndrimet dhe ndryshimet me praktikat e Bashkimit Evropian, aty ku edhe Republika e Maqedonisë synon të integrohet”- tha rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti.
 
“Nuk e shoh të udhës që në këtë moment të duhur është dashur të hapen këto çështje, këto ndryshime tashmë kushtetuese të propozuara, përderisa Maqedonia ka probleme tjera shumë më madhore se këto, madje probleme të cilat varet edhe perspektiva e këtij shteti”- u shpreh dekani i Fakultetit Juridik, Mersim Maksuti.
 
Profesorët universitarë të pranishëm në këtë tribunë, Osman Kadriu dhe Bajram Pollozhani, u shprehën kundër ndryshimeve kushtetuese.
 
MIFTAR EMINI