Maqedoni
Mançevski: Nuk mundet në çdo institucion të ketë shqiptarë sipas përqindjes etnike
05.12.2019 15:05
Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës, po përgatisin metodologjinë e re për punësim në sektorin publik...

Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës, po përgatisin metodologjinë e re për punësim në sektorin publik, bën të ditur ministri i Administratës, Damjan Mançevski, sipas të cilit do të mbahet llogari edhe për përfaqësimin adekuat të të gjitha etniteteve. Por, sipas ministrit, nuk mund të pritet që në çdo institucion të kemi shqiptarë të punësuar në shifrat sa është etniteti shqiptar në nivel shtetëror.
“Kjo mënyrë e punësimit që është bërë deri më tani absolutisht nuk mund t’i përgjigjet kërkesave reale të institucioneve. Unë dhe Qeveria përkrahim përfaqësimin adekuat të etniteteve nëpër institucione, por është joreale nëse ne presim që të kemi përfaqësim real në të gjitha institucionet veç e veç. Numrat në gjithë sektorin publik flasin se për momentin kemi diku 19,5 për qind shqiptarë etnikë të punësuar në sektorin publik, që do të thotë se duhet akoma të punohet në këtë drejtim, pasi kjo nuk është e mjaftueshme, por përsëri do të them se nuk është reale të pritet në të gjitha institucionet të kemi përqindjen e njëjtë, siç është shoqëria. Është e pamundur për shkak të ofertës së punës. Pikërisht për shkak të kësaj i kemi propozuar edhe ndryshimet në Ligjin e ri për administratë dhe Ligjin e të punësuarve në sektorin publik.”,- deklaroi ministri i Administratës, Damjan Mançevski.
Mançevski: Do të ketë punësime edhe në vitin 2020
Mançevski njëherit theksoi se do të ketë punësime të reja edhe gjatë vitit 2020.
“Tërë ajo që është paraparë si punësim është paraparë në planin vjetor për punësim në institucione të caktuara, kështu që nuk është befasi. Punësimet do të vazhdojnë edhe më tej. Kjo ka ndodhur edhe kur nuk ishin paralajmëruar zgjedhjet.”,- tha ministri i Administratës, Damjan Mançevski.
Ministri Mançevski këtë prononcim e bëri gjatë nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim me OSBE-në. Pjesë e kësaj konference ishte edhe sektori civil, me ç’rast u prezantuan edhe rezultatet e këtij viti, siç ishte digjitalizimi i administratës, lëshimi në përdorim i Regjistrit Qendror të qytetarëve, portali për kërkesën e shërbimeve publike, ndërsa deri në fund të vitit pritet të promovohet edhe identiteti personal elektronik i qytetarëve.
FITIM KRYEZIU
