Maqedoni

Puna në gjykatat penale, mbi 60% e proceseve gjyqësore shtyhen vazhdimisht

05.12.2019 16:59

Mbi 60% e proceseve gjyqësore për krim të organizuar dhe korrupsion në gjykatat e vendit në vazhdimësi po prolongohen....

Shifra është alarmante edhe në Gjykatën Penale të Shkupit, ku afër 50% e lëndëve shtyhen vazhdimisht. Arsye më e shpeshtë për zvarritjen e proceseve gjyqësore është mungesa e të akuzuarve apo avokatëve të tyre. Këtu nuk përjashtohet as mungesa e prokurorëve publikë.
 
“Do të duhet që në të ardhmen të flitet për koordinim të të gjitha institucioneve që janë të përfshira në procedurat gjyqësore, megjithatë edhe ekipim i burimeve njerëzore në prokuroritë publike, e posaçërisht në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Për hir të së vërtetës, më pak prolongime të proceseve gjyqësore kishim kur funksiononte PSP se sa tani, ku po vërejmë mungesë të prokurorëve.”,- deklaroi drejtoresha e Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Natali Petrovska.
 
Nga koalicioni alarmojnë se kjo jep efekte negative në vjetrimin e lëndëve.
 
“Pasojat mund të jenë të shumta, në rend të parë janë shpenzimet, pastaj vihet në pikëpyetje interesi i qytetarëve që të shohin epilogun përfundimtar të proceseve. Pas prolongimit të proceseve, dënimet s’janë efektive për ndonjë vepër penale që ka ndodhur shumë më herët. Këtu ndërlidhet edhe vjetrimi i lëndëve penale dhe gjithashtu vjetrimi që në fazën e hetimit.”,- u shpreh Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
 
Nga koalicioni mbështesin propozimin për veting në gjyqësor me qëllim që institucionet gjyqësore të arrijnë qëllimin në sundimin e së drejtës dhe funksionimin e shtetit ligjor.
 
MERAL ISMAILI