Maqedoni

Ohër, u hap Qendra për Trajtim të Fëmijëve me Autizëm

05.12.2019 17:10

Në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit u hap Qendra për Ndërhyrje të Hershme dhe Trajtim të Fëmijëve me Autizëm....

Mbi 100 fëmijë me autizëm në Ohër dhe qytetet përreth tani do të trajtohen. Në këtë qendër do të mund të trajtohen mbi 100 fëmijë. Ajo posedon kabinete të defektologjisë dhe logopedisë, si dhe kushte të tjera të nevojshme për fëmijët dhe personelin. Hapja e kësaj qendre u realizua me mbështetjen e Ambasadës bullgare dhe Shoqatës "Në botën time".
 
“Bëhet fjalë për pajisjen më bashkëkohore, që i mbulon të gjitha nevojat për fëmijët, për trajtim dhe tejkalim të problemeve në zhvillim psikologjik në lidhje me socializimin dhe aftësimin dhe të gjitha këto do të jenë nën kontroll të ekspertëve.”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
“Nuk ka më humane dhe vepër më të mirë që t’u ndihmohet fëmijëve që kanë probleme shëndetësore dhe kjo është kauza që duhet ta ndjekim në jetë dhe jam krenar që Qeveria bullgare siguroi mjete për këtë projekt.”,- tha ministri i Shëndetësisë-Bullgari, Kiril Ananiev.
 
Autoritetet potencuan se përveç trajtimeve të personave me autizëm, do të zbatohet edhe edukimi i familjeve, për t'u kujdesur më mirë për personat me këtë sëmundje.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI