Maqedoni

Ekspertët: Dyndje e popullit nga vendet e Ballkanit

05.12.2019 17:33

Ndryshimet demografike në vendet e Ballkanit perëndimor tashmë nuk janë mit, por një realitet i hidhur....

Arsyet për “ikjen” e të rinjve janë ekonomike, por edhe prezenca e korrupsionit në vend. Në momentin që RMV do të bëhet pjesë e BE-së, të gjithë do të ikin jashtë vendit, tha Nikica Kollar - njëri nga autorët e dokumentit hulumtues “Emigrimi dhe ndryshimi demografik në EJL”. Sipas ekspertëve, për emigrantët nga vendet e Ballkanit, Gjermania është vendi më i frekuentuar, sepse aty mungon fuqia punëtore, atraktive janë Austria dhe Irlanda.
 
“Më tepër ikin të rinjtë nga këto vende, sepse nuk mund të gjejnë punë të duhur për nivelin e shkollimit të tyre. RMV-ja nuk është në vendin e parë për largim, sepse akoma nuk është në Bashkimin Evropian. Kur ajo të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, vitet e para të integrimit të gjithë do të ikin jashtë vendit. Një gjë e tillë ndodhi në Estoni, pjesërisht në Slloveni dhe Bosnjë e Hercegovinë. Në Kroaci, për gjashtë - shtatë vite janë larguar mbi 200.000 mijë njerëz.”,- deklaroi Nikica Kolar nga Instituti për Zhvillim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
 
Migrantë nga Lindja e Mesme, pre e grupeve kriminale
 
Po ashtu migrantë nga Lindja e Mesme kalojnë nëpër vendet e Ballkanit për të shkuar drejt Evropës.
 
“Në Bosnjë janë identifikuar mbi 50.000 emigrantë ilegalë, të cilët tashmë ilegalisht e kanë kaluar kufirin, ndërsa një numër i madh i tyre kanë qëndruar në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ata organizohen nga grupe kriminale, të njëjtën gjë para disa ditëve e deklaroi edhe ministri i Punëve të Brendshme të Bosnjës, Dragan Metkiq.”,- tha Jellka Klemenc nga Instituti për Menaxhimin Integrues të Sigurisë së Brendshme - Lubjanë.
 
Klemenc, po ashtu tha se struktura e kombësisë së migrantëve, të cilët tani janë duke shkuar në BE dhe janë viktima të kontrabandës, nuk ka ndryshuar që prej vitit 2016, shumica e tyre janë shtetas të Pakistanit, Afganistanit, Irakut dhe Somali.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU