Ekonomi
Organizata e Punëdhënësve: Kompanitë të investojnë tek të punësuarit dhe në pajisje
05.12.2019 17:43
Rritja e pagës minimale paraqet presion mbi kompanitë që të rrisin produktivitetin....

Rritja e pagës minimale paraqet presion mbi kompanitë që të rrisin produktivitetin, me qëllim që t’i mbulojnë shpenzimet të cilat dalin nga rritja e pagave të punëtorëve, thonë nga Organizata e Punëdhënësve. Sipas tyre, në treg do të mbijetojnë vetëm ato biznese që do të investojnë në makineri të reja, teknologji dhe motivim të punëtorëve për të mbajtur vendet e tyre të punës.
“Nëse ndodh që një përqindje e madhe e punëtorëve marrin pagë minimale, ju mos prisni se do të keni rritje të produktivitetit. Kompanitë duhet të jenë të vetëdijshme se pagat duhet të rriten, por edhe shteti duhet të jetë i vetëdijshëm se rritje eventuale mbi linjën e kuqe prej 60% të pjesëmarrjes së pagës minimale në krahasim me atë mesatare do të ishte katastrofale, sidomos për veprimtaritë e punës intensive.”,- tha Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.
Kompanitë e vogla dhe të mesme të cilat përbëjnë 90% të biznesit në vend, që të bëhen më produktive dhe t’i rrisin pagat duhet të orientohet drejt eksportit. Por, ato jo vetëm që nuk kanë ndihmë për këtë, një numër i madh i tyre nuk kanë as potencial kadrovik se si mund të jenë më konkurrentë, thotë Dimitrov.
“Për të realizuar eksport duhesh të kesh njohuri për shumë ligje dhe procedura, ne po mundohemi që t’i ndihmojmë kompanitë e vogla në aspekt të logjistikës, hulumtimit të tregut të disa shteteve fqinjë, standardeve për eksport dhe shumë çështje të tjera të cilat ato vet nuk kanë kapacitet kadrovik t’i mësojnë.”,- tha Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.
Sipas të dhënave, potencialet eksportuese të vendit bazohen në punën e kompanive të mëdha. Në 9 muajt e parë të vitit vlera e mallrave të eksportuar ka arritur shumën prej 5 miliard e 350 milion euro, për 10,8% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Ndërsa deficiti tregtar i vendit është 1 miliard e gjysmë euro.
GAZMEND KURTISHI
