Botë

Tiranë, panair për përfitimin e granteve

23.09.2014 18:30

Mbahet në Tiranë Panairi i “Përfituesve të grandeve nga programi i bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni 2007-13”...

Panairi është organizuar me mbështetjen e delegacioneve të BE–së, nën kujdesin e Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Vetëqeverisjes së Republikës së Maqedonisë.
 
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, foli për rëndësinë e programit IPA, ndërsa shtoi se bashkëpunimi mes vendeve të rajonit është i domosdoshëm për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.
 
“Të dy vendet pretendojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, ndaj ky bashkëpunim ndërkufitar ka për qëllim zhvillimin dhe integrimin e të dy vendeve. Programi IPA, ku merr pjesë Shqipëria dhe Maqedonia, ka një rëndësi mjaft të veçantë. Bashkëpunimi ndërkufitar është fokusuar në turizëm, mjedis” – deklaroi ministrja e Integrimit-Shqipëri, Klajda Gjosha.
 
Ndërsa ministri i Pushtetit Lokal dhe Vetëqeverisjes së Maqedonisë, Lirim Shabani, theksoi se edhe në vijim do t’i kushtohet vëmendje  maksimale marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit.
 
“Marrëdhëniet e mira rajonale dhe atmosfera miqësore mes vendeve tona është në të mirë të të gjithë rajonit. Programe të këtij lloji janë një mënyrë e mirë për të intensifikuar këto marrëdhënie. Është në interes të të dy vendeve për të nxitur zhvillimin dhe për të siguruar progresin e bërë në këtë drejtim”- tha ministri i Pushtetit Lokal-Maqedoni, Lirimi Shabani.
 
Shuma e investuar në programin IPA është 6 milionë dollarë, kur 3 milionë janë për investimet në projektet e shumta që janë propozuar, nga të cilat janë zgjedhur 26 prej tyre.
 
LULJETA NDOKA