Botë

Moskë, dëbohet një diplomat bullgar

05.12.2019 20:20

Moska njoftoi dëbimin e një diplomat bullgar, veprim që vjen pesë javë pasi Sofja i refuzoi vizën një atasheu rus....

Tensionet diplomatike mes dy vendeve po ndodhin pas një skandali të spiunimit. Autoritetet ruse e njoftuan ambasadorin e Bullgarisë në Moskë, Atanas Krastin, se diplomati duhet të largohet nga Rusia brenda 24 orëve të ardhshme, duke përmendur “parimin e reciprocitetit”, ka njoftuar ministria e Jashtme bullgare. Mediat ruse cituan burime, të cilat konfirmuan se qeveria e kishte shpallur një zyrtar të paemërtuar të ambasadës bullgare si “person i padëshiruar”.
 
Masa vjen pasi Bullgaria, më 30 tetor, tha se i kishte refuzuar vizën afatgjate atasheut të mbrojtjes në Ambasadën ruse në Sofje, një ditë pasi dëboi një diplomat tjetër rus nën dyshimin e spiunimit. Më parë, prokurorët bullgarë akuzuan, Nikolai Malinovin – një ish-anëtar i parlamentit nga Partia Socialiste Bullgare (BSP), që drejton një organizatë jo-qeveritare pro-ruse – për pastrim parash dhe dorëzimin të sekreteve shtetërore në dy organizata ruse, të cilat kanë lidhje të ngushta me Kremlinin dhe shërbimet e fshehta të Rusisë. Malinov ka mohuar akuzat.