Kulturë
Prezantohen në Shkup piktura arbëreshe
23.09.2014 18:33
Piktura arbëreshe u prezantua mbrëmë në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, në kuadër të “Javës arbëreshe”...

Piktori arbëresh, Franko Azinari, i cili bart me vete një veprimtari të bujshme, për herë të parë ekspozoi pikturat në Maqedoni. I njohur ndryshe edhe si “Artisti i erës”, Azinari gjen frymëzimin për veprat e tij në udhëtimet e tij anembanë botës.
“Është e para herë që vij në Maqedoni, në Shkup. Kam tema që kanë të bëjnë me zemrën. Nuk besoja se këtu do të takoj njerëz që kanë një dashuri kaq të madhe dhe po ndjehem si në shtëpinë time”- deklaroi piktori, Franko Azinari.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, thotë se “Java e arbëreshëve” në kuadër të “Tingujve të Çarshisë” ka për qëllim që bashkëpunimin vëllazëror të shqiptarëve të Maqedonisë dhe arbëreshëve të Italisë ta shndërrojë në urë për bashkëpunim edhe në të ardhmen.
“Përveç ekspozitave, shënimit të 200 vjetorit të Jeronim de Radës dhe aktiviteteve tjera, është e paraparë që të vijnë edhe kryetarët që janë arbëreshë, që udhëheqin me komuna në Kalabri dhe Sicili, që të vëllazërohemi me Komunën e Çairit dhe komunat tjera shqiptare. Ato vëllazërime të jenë të përhershme, ku do ketë aktivitete të shumta, një ndër to është që ne do të mund t’i shfrytëzojmë edhe fondet evropiane, për shkak se Italia është anëtare e rëndësishme e BE-së”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Piktori, Franko Azinar, shpreson se në një të ardhme të afërt do të mund të realizojë një ekspozitë tjetër me përmasa më të mëdha në Maqedoni, sepse këtë herë, për shkak të disa problemeve teknike, me vete ka marrë vetëm pikturat të cilat mund të pasqyrojnë më së miri veprimtarinë e tij.
Sonte, veshjet arbëreshe do të prezantohen edhe në “Librarinë e Çarshisë”.
ARDITA IMERI
